Kompensimet për anëtarët e Këshillave zgjedhorë dhe Komisioneve komunale zgjedhore për zbatimin e Zgjedhjeve Lokale 2025 nuk do të ulen, por do të mbeten në nivelin e zgjedhjeve të mëparshme, gjegjësisht zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, informoi sot kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Boris Kondarko në seancën publike, në të cilën njëzëri u miratua Rregullorja për përcaktimin e kritereve për kompensimin e anëtarëve të organeve zgjedhore. Kondarkoi potencoi se KSHZ-ja këtë Rregullore e miraton pas çdo procesi zgjedhor, në përputhje me Ligjin zgjedhor.
– Organet zgjedhore, siç janë këshillat e votimit, komisionet komunale zgjedhore, punonjësit e shërbimit profesional, departamentet rajonale dhe personat e angazhuar në bazë të vendimeve për trupat ndihmës, kanë të drejtë për një shpërblim të përshtatshëm, në bazë të kushteve dhe kritereve të përcaktuara paraprakisht për llojin, vëllimin dhe kompleksitetin e angazhimit, kohëzgjatjen dhe kritere të tjera që lidhen me punën e tyre – tha Kondarko, përcjell PressOnline.al
Kryetari i KSHZ-së, në seancën publike të sotme, njoftoi se Rregullorja e miratuar do t’u dërgohet të gjitha organeve zgjedhore dhe se në periudhën e ardhshme KSHZ-ja do të veprojë në bazë të saj dhe, me një vendim të veçantë, do të përcaktojë kompensimet për të gjitha kategoritë e organeve zgjedhore.
– Para së gjithash, mendoj për këshillat e votimit dhe komisionet komunale zgjedhore. Në Rregullore janë përcaktuar gradacione për këshillat e votimit sipas numrit të votuesve të regjistruar në çdo vendvotim. Për komisionet komunale zgjedhore, kriteri është numri i këshillave të votimit që ka secila KKZ, ndërsa KSHZ-ja do të udhëhiqet edhe nga kritere të tjera. Të gjitha organet zgjedhore, komisionet komunale, punonjësit dhe trupat ndihmës të angazhuar do të dorëzojnë raporte individuale për punën e tyre. Kompensimet, përafërsisht, pasi ka disa kategori, kushte dhe gradacione të ndryshme të përcaktuara në Rregullore, do të jenë në nivel të ngjashëm me ato të zgjedhjeve të fundit, të cilat ishin zgjedhje të dyfishta. Kemi marrë parasysh faktin se zgjedhjet lokale janë më të vështirat dhe më komplekset për t’u organizuar – tha Kondarko.
Në seancën e 158-të publike të sotme të KSHZ-së, Kondarko njoftoi gjithashtu se pas publikimit përfundimtar të djeshëm, janë përfunduar të gjitha veprimet zgjedhore për zgjedhjet lokale. Sot KSHZ-ja do të njoftojë institucionet kompetente për veprimet e mëtejshme në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet. Kondarko shtoi se KSHZ-ja pret shpalljen e zgjedhjeve lokale në katër komunat e vendit ku nuk u arrit cenzusi: Gostivar, Vrapçisht, Centar Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë. Në ditët në vijim, sapo të merret vendimi për shpalljen e zgjedhjeve nga kryetari i Kuvendit, KSHZ-ja menjëherë, po atë ditë, do të thërrasë seancë publike në të cilën do të fillojë procesi zgjedhor në këto katër komuna.




