Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi në konferencën e sotme për shtyp se nën qeverisjen e Hristijan Mickoskit, vendi po përjeton rënie dramatike ekonomike, e cila reflektohet edhe në rënien e investimeve të huaja.
“Pasi kryeministri mbaroi së fotografuari me investimet tona me pendët e të tjerëve, tani ka ardhur realiteti i paaftësisë së tij, kemi tre herë më pak investime të huaja. Në vend të stabilitetit, zhvillimit dhe rritjes ekonomike, shohim ngecje, rënie dhe mosinteres të plotë nga ana e Qeverisë”, tha Filipçe.
Ai kujtoi se investimet e huaja ishin motori i zhvillimit ekonomik gjatë periudhës kur LSDM ishte në pushtet, por sot ai motor është ndalur plotësisht.
“Krahasuar me vitet e LSDM-së, kur në dy tremujorët e parë kishte 600 milionë euro investime të huaja, tani ka vetëm 200 milionë euro. Pra, investimet e huaja në vend janë zvogëluar në një të tretën”, tha Filipçe.
Filipçe tha gjithashtu se largimi i investimeve të huaja është rezultat jo vetëm i paaftësisë ekonomike, por edhe i sjelljes arrogante të Qeverisë ndaj investitorëve vendas dhe të huaj.
Sipas tij, treguesit ekonomikë janë alarmues në të gjitha nivelet.




