Bashkimi Evropian po shpërndan një ndihmë financiare shtesë për Ukrainën, prej gati gjashtë miliardë eurosh, njoftoi sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
”Ky fond është në formën e një kredie që do të kthehet me interesin e gjeneruar nga asetet e ngrira shtetërore ruse që mbahet në BE, si dhe fonde nga e ashtuquajtura ‘Facility for Ukraine”, tha ajo para ligjvënësve në Parlamentin Evropian.
”Sot, presidenti rus Vladimir Putin ende beson se mund të na përballojë. Ai mendon se, me kalimin e kohës, Rusia mund të arrijë qëllimet e saj në terren”, tha Von der Leyen duke shtuar se ”ky është një gabim i qartë logjik”.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në 2022, BE-ja dhe vendet anëtare kanë premtuar rreth 178 miliardë euro mbështetje, duke përfshirë ndihmë ushtarake dhe financiare, si dhe ndihmë për refugjatët.
Vetëm “Facility fot Ukraine” i BE-së ka një kapital prej 50 miliardë eurosh, ndërsa rreth 18,1 miliardë euro ofrohen nga një iniciativë e udhëhequr nga grupi G7, gjithashtu duke përdorur interesin nga asetet e ngrira ruse.
Ndërkohë, planet e BE-së për të përdorur vetë asetet e ngrira ruse për të ofruar ndihmë financiare më të madhe për Ukrainën, deri në 140 miliardë euro, janë bllokuar për shkak të kundërshtimeve, veçanërisht nga Belgjika, ku fondet menaxhohen nga Euroclear.
”Përpjekjet për të zgjidhur çështjen janë duke u zhvilluar”, tha Von der Leyen, duke paraqitur tre opsione.
“Është e qartë, ne do të ofrojmë ndihmë dhe do të mbulojmë nevojat financiare të Ukrainës për vitet e ardhshme. Diskutimi tani është mbi mënyrën se si do të realizohet”, premtoi Von der Leyen.


