Irani nuk i ka përmbushur detyrimet e tij për të ofruar informacion mbi rezervat e diskutueshme të uraniumit që nga sulmet e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vendit.
Një raport jopublik nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) me seli në Vjenë, tha se Irani deri më tani nuk i ka raportuar IAEA-së statusin e objekteve të tij bërthamore dhe materialin e ruajtur në to, siç ishte kërkuar nga shefi i agjencisë, Rafael Grossi.
Grossi vuri në dukje se Irani nuk mund të revokonte në mënyrë të njëanshme marrëveshjet me IAEA-në.
“Monitorimi i programit bërthamor mbetet thelbësor dhe urgjent”, tha ai.
Grossi përsëriti se vendndodhja e paqartë e më shumë se 400 kilogramëve uranium të pasuruar shumë – kryesisht është “një shkak për shqetësim të madh”.
Sipas ekspertëve, ky material do të ishte i mjaftueshëm për disa armë bërthamore nëse do të pasurohej në një nivel pastërtie pak më të lartë. Teherani mohon se dëshiron të ndërtojë armë të tilla.
Që nga sulmet, Irani u ka dhënë inspektorëve të IAEA-s qasje vetëm në disa objekte bërthamore të padëmtuara, duke përfshirë centralin bërthamor “Bushehr” dhe një reaktor kërkimor në Teheran.
Inspektorët udhëtuan sot drejt Iranit për të vizituar objektet në Isfahan, për herë të parë pas disa muajsh.
Lëshimi i Teheranit erdhi vetëm një javë para takimit tremujor të bordit të guvernatorëve të IAEA-s, ku programi bërthamor i Iranit do të jetë sërish në qendër të vëmendjes.
Në vitin 2015, Irani u zotua të kufizonte programin e tij bërthamor në një marrëveshje.
Pasi SHBA-ja u tërhoq nga pakti gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, Teherani nuk i përmbahej më kufizimeve.
Si rezultat, sanksionet e OKB-së ndaj Iranit u riaktivizuan në fund të shtatorit me iniciativën e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.



