Nga muaji në muaj, qytetarët dhe kompanitë në Maqedoninë e Veriut po rrisin borxhet e tyre bankare, edhe pse normat e interesit mbeten të larta. Sipas të dhënave më të fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë, qytetarët dhe firmat së bashku i detyrohen bankave rreth 8,6 miliardë euro, krahasuar me 8 miliardë euro që ishte shifra në janar të këtij viti, informon PressOnline.al
Tradicionalisht, qytetarët mbajnë borxhe më të mëdha se kompanitë. Në qershor 2025, borxhi i familjeve arriti në 4,37 miliardë euro, ndërsa kreditë e firmave ishin pak më të ulëta, rreth 4,24 miliardë euro. Megjithatë, muajt e fundit sektori korporativ po shënon rritje më të shpejtë të kreditimit.
Në shtator 2025, kreditë totale u rritën me 0,9% krahasuar me muajin paraprak, me kontribut më të madh nga familjet. Rritja vjetore ishte 13,5%, kryesisht për shkak të kreditimeve të sektorit korporativ, por edhe huatë e qytetarëve po shënojnë trend rritës.
Qytetarët tregojnë më shumë interes për kreditë konsumatore dhe kredinë për banim. Borxhi i kredive konsumatorësh arrin në 2,2 miliardë euro, krahasuar me 1,9 miliardë euro në tremujorin e tretë. Sa i përket kredive për banim, qytetarët shënojnë huamarrje me vlerë 1,7 miliardë euro.
Kreditë për automjete, nga ana tjetër, tërheqin më pak interes, me borxh vetëm rreth 7 milionë euro.
Banka Popullore thekson se në shtator 2025, kreditë e miratuara për individët, veçanërisht ato konsumatore dhe për banim, shënuan rritje si mujore, ashtu edhe vjetore.



