Edhe pse në raportin e Komisionit Evropian theksohet një vlerësim i dobët për ndjekjen e fushatës zgjedhore, për shkak të mungesës së burimeve dhe kornizës ligjore të papërmirësuar, ish-kryetarja Biljana Ivanovska thotë se edhe përbërja e mëparshme ka punuar në të njëjtat kushte, por ka pasur rezultate më të mira.
“Vërejtjet në Raport janë të pritshme, duke pasur parasysh aktivitetin e Komisionit gjatë vitit të kaluar. Për fat të keq, është evidentuar ulje e kredibilitetit të institucionit, për shkak të ngjarjeve që lidhen me kryetaren, përfshirë edhe dorëheqjen e saj. Është konstatuar komunikim më i dobët me publikun, çka rrit shqetësimin për transparencën e kufizuar. Gjithashtu, është vërejtur aktivitet i zvogëluar në zbulimin dhe raportimin e rasteve të korrupsionit, madje edhe hezitim për të trajtuar raste me elemente politikisht të ndjeshme,” – deklaroi për Kanal 5, Biljana Ivanovska, ish-kryetare e KShPK-së, përcjell PressOnline.al
Sipas Komisionit Evropian, aktakuza kundër ish-kryetares Tatjana Dimitrovska është arsyeja kryesore që kredibiliteti i institucionit është vënë në pikëpyetje. Në raport, KE rekomandon që Komisioni të bëhet më aktiv:
“Aktakuza ndaj kryetares së Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, që çoi në dorëheqjen e saj, e vuri në dyshim kredibilitetin e institucionit. KShPK duhet të japë në mënyrë proaktive udhëzime për politikat kundër korrupsionit, të zbulojë dhe raportojë rastet e mundshme të korrupsionit dhe të rrisë efikasitetin në kontrollin e deklaratave të pasurisë dhe mbikëqyrjen e financimit të fushatave zgjedhore. Njëkohësisht, rekomandimet e saj duhet të ndiqen në mënyrë efektive.” – thuhet në Raportin e KE për progresin e Maqedonisë 2025.
Pas dorëheqjes së Dimitrovskës, e cila tani është e akuzuar në rastin “Aditiv”, në Kuvend ka nisur procedura për zgjedhjen e pasardhësit të saj. Për këtë pozitë janë paraqitur 13 kandidatë, ndërsa procesi pritet të vazhdojë së shpejti.



