Simone Biles, sportistja rekordmene me më shumë tituj në gjimnastikë dhe ende pjesë e skenës aktive, ka vendosur të pezullojë garimin që nga suksesi në Lojërat Olimpike Paris 2024. 28-vjeçarja ka vendosur të pushojë gjatë gjithë sezonit, duke mos marrë pjesë as në Kampionatin Botëror të Gjimnastikës në Xhakarta, me synimin për të balancuar shëndetin fizik dhe atë mendor.
Gjatë kësaj periudhe pauze, 23 herë kampionia e botës ka bërë të ditur në një intervistë për “E! News” se i është nënshtruar tre ndërhyrjeve estetike. Biles pohoi se ka kryer një mastoplastikë aditive (rritje të volumit të gjoksit), blefaroplastikë të pjesës së poshtme të syve, si dhe një ndërhyrje estetike në vesh.
Ajo shpjegoi se vendimi erdhi si kombinim i dëshirës për mirëqenie personale dhe korrigjimit të disa shqetësimeve të vjetra.
“Kisha qeska poshtë syve prej kohësh dhe kur isha më e vogël pata një dëmtim në vesh kur më u shkëput vathi,” u shpreh Biles.

Sa i përket së ardhmes sportive, kampionia amerikane ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do të vazhdojë garimin deri në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.
“Në një mënyrë apo tjetër, do të jem në Olimpiadë,” tha ajo. “Por ende nuk e di nëse do të jem në arenë si atlete, apo në tribuna.”




