Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj komenteve seksiste dhe paragjykuese të gazetarit të “Tetova Sot”, Nevrij Ademi, lidhur me raportimet në televizionin Klan Kosova mbi vdekjen tragjike të Daorsa Spahiut.
Në reagimin e tyre, nga VLEN theksohet se përdorimi i termave denigruese si përshkrimi se ajo “ka qenë e lëvizshme” apo insinuatat për “përdorim të lëndëve narkotike”, përbëjnë shkelje flagrante të Kodit Etik të Gazetarëve dhe sulm në baza gjinore ndaj një vajze që tragjikisht humbi jetën.
Koalicioni kërkon nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Këshilli për Etikë në Media, si dhe nga të gjitha redaksitë serioze të vendit, të reagojnë ndaj këtij rasti që, siç thuhet në deklaratë, dëmton rëndë imazhin e gazetarisë dhe shkel çdo standard profesional.
“Në vend që të informojë me ndjeshmëri dhe përgjegjësi për një ngjarje tragjike, gazetari ka zgjedhur të nxisë paragjykime dhe të stigmatizojë vajzat dhe gratë — një qasje e papranueshme në çdo formë të komunikimit publik,” thuhet në reagim.
VLEN thekson se qëndron fuqishëm në mbrojtje të dinjitetit të grave dhe vajzave dhe bën thirrje që drejtësia të veprojë ndaj çdo forme të linçimit publik, diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes në media.
Në fund, koalicioni ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjarët e Daorsa Spahiut, duke apeluar që raste të tilla të mos përsëriten më.




