Komisioni Evropian miratoi sot paketën e tij vjetore të zgjerimit, duke paraqitur një vlerësim gjithëpërfshirës të progresit të bërë nga vendet gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.
Paketa e këtij viti riafirmon se momenti për zgjerim qëndron lart në axhendën prioritare të BE-së. Gjithashtu konfirmon se pranimi i shteteve të reja anëtare është gjithnjë e më i arritshëm.
Qëndrimi konsistent dhe ndjekja e një qasjeje të bazuar në meritë është çelësi i pranimit të suksesshëm në BE.
Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina, Republika e Moldavisë, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Turqia dhe Gjeorgjia vazhdojnë rrugët e tyre përkatëse drejt BE-së.
Ritmi i reformave të tyre, veçanërisht në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, ndikon drejtpërdrejt në shpejtësinë e pranimit. Këto përparime u sjellin dobi si shteteve anëtare aspirante ashtu edhe shteteve anëtare aktuale të BE-së, duke nxitur prosperitetin, demokracinë, sigurinë dhe stabilitetin, ndërsa zhbllokojnë mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset, të tilla si investimet strategjike dhe hapja e Tregut të Përbashkët.
Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, u shpreh se, “ne jemi më të përkushtuar se kurrë për ta kthyer zgjerimin e BE-së në realitet, sepse një Bashkim më i madh do të thotë një Evropë më e fortë dhe më me ndikim në skenën globale”.
Por, shtoi ajo, “zgjerimi është një proces i bazuar në meritë. Paketa jonë ofron rekomandime specifike për të gjithë partnerët tanë. Dhe të gjithëve u themi: Hyrja në BE është një ofertë unike. Një premtim paqeje, prosperiteti dhe solidariteti. Me reformat e duhura dhe një vullnet të fortë politik, partnerët tanë mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi”.
Sa i përket arritjeve të vendeve, Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm, me katër grupkapituj të hapura gjatë vitit të kaluar. Përgatitjet për hapjen e grupkapitullit të fundit këtë vit kanë përparuar mirë. Është arritur përparim në themelet, veçanërisht në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Tani nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur standardet e ndërmjetme sipas themeleve, të cilat do të hapin rrugën për të filluar mbylljen e kapitujve negociues pasi të jenë bërë reformat e nevojshme sektoriale.
Arritja e qëllimit të Shqipërisë për të përfunduar negociatat deri në vitin 2027 varet nga ruajtja e momentit të reformave dhe nxitja e dialogut politik gjithëpërfshirës. Me kusht ruajtjen e ritmit të reformave, Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbushur këtë objektiv ambicioz.
Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian u shpreh se, procesi i zgjerimit po ecën më shpejt sot sesa në 15 vitet e fundit.
Por, shtoi ajo, “nuk mund të përballojmë humbjen e shpejtësisë”.
“Rendi global po ndryshon dhe siguria e Evropës është gjithnjë e më shumë në rrezik. Zgjerimi është një investim në një Evropë të qëndrueshme dhe shumica e qytetarëve tanë e njohin këtë. Nuk ka rrugë të shkurtra për vendet aspirante, por çfarëdo që BE-ja mund të bëjë për të mbështetur procesin, ne duhet ta bëjmë. Dritarja për zgjerim është e hapur dhe ne duhet ta shfrytëzojmë mundësinë tani. Vendet e reja që bashkohen me BE-në deri në vitin 2030 janë një qëllim realist”, tha Kallas.




