Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se në Bruksel ka zhvilluar një takim miqësor me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Takimin e parë e patëm saktësisht një vit më parë, kur zoti Costa u zgjodh president i Këshillit Evropian, dhe që atëherë kemi kultivuar marrëdhënie miqësore dhe sinqerta. Zoti Costa është mik i madh i Maqedonisë dhe në atë frymë kaloi edhe takimi i sotëm.
Sërish biseduam për temat aktuale, natyrisht për afrimin e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian dhe për fillimin formal të negociatave”, shpjegoi Mickoski.
Në takim, sipas tij, janë përsëritur “qëndrimet tona unike”.
“Janë qëndrime me dinjitet, pas gjithë atyre poshtërimeve që na kanë ndodhur në 25 vitet e fundit, që nga fillimi i rrugës sonë drejt BE-së. Kishim një takim miqësor dhe mjaft produktiv. Gjithçka që përbën prioritet për ne, është edhe prioritet i zotit Costa. Përveç afrimit drejt BE-së dhe fillimit të negociatave, u diskutuan disa projekte strategjike për ne, si interkonektori i gazit me Serbinë dhe degëzimi i tubacionit të gazit drejt Kosovës fqinje. U fol gjithashtu për tarifat ndaj çelikut dhe produkteve të çelikut të prodhuesve maqedonas, si dhe për projektin e përbashkët që qeveria maqedonase do ta realizojë me Komisionin Evropian, që lidhet me projektet në Koçani dhe rajonin e Koçanit. Në përgjithësi, mund të them se ishte një takim jashtëzakonisht i suksesshëm dhe produktiv. Vazhdojmë edhe më tej me takimet tona këtu në Bruksel. Kemi një ngjarje me Euronews, ndërsa sonte darkë me komisaren Marta Kos, dhe shpresoj e jam i bindur për lajme pozitive”, tha Mickoski, përcjell PressOnline.al




