Zoran Koçovski, pronar i “Kouzon”, agjencisë më të famshme për ndërmjetësimin e punës jashtë vendit, tha se çdo vit midis 15 dhe 25 mijë shtetas nga RMV largohen për punë sezonale në vende të tjera.
“Sezonin e kaluar, numri më i madh i shtetasve nga Maqedonia u punësua në Kroaci. Sipas të dhënave tona, mbi 15.680 persona nga Maqedonia u regjistruan si punëtorë sezonalë në këtë vend”, tha Koçovski, për “TV21”.
Ai shpjegon se për Kroacinë ka statistika zyrtare përmes institucioneve të tyre shtetërore, ndërsa për vendet e tjera të dhënat janë vetëm të përafërta.
Përveç destinacioneve tradicionale, ai vëren edhe një rritje të punësimit në Belgjikë, Francë dhe vendet skandinave, kryesisht përmes kontratave afatshkurtra ose informale.
“Dalja e fuqisë punëtore nga Maqedonia në industrinë e hotelerisë në Qipro është gjithashtu e dukshme, e cila është një trend i ri. Ka edhe migrim të përhershëm në Maltë dhe pjesërisht në Gjermani dhe Itali”, thotë Koçovski.


