Vetëm disa javë pas martesës, Selena Gomez mahniti publikun me paraqitjen e saj të parë zyrtare si e martuar, në Gala-n e Academy Museum që u mbajt më 18 tetor në Los Angeles.
Këngëtarja dhe aktorja 33-vjeçare u shfaq përkrah bashkëshortit të saj, producentit muzikor Benny Blanco, duke rrezatuar elegancë dhe lumturi.
Selena zgjodhi një fustan të zi me shkëlqim, frymëzuar nga Hollywood-i klasik, të kombinuar me një xhaketë elegante, flokë të kapura lart dhe buzë të kuqe të theksuara – një pamje që u cilësua nga mediat si “glow i vërtetë i nusërisë”.
Ndërkohë, Blanco, 27 vjeç, mbajti një kostum të zi me këmishë blu të pambyllur, duke shtuar një prekje të relaksuar dhe moderne pranë bashkëshortes së tij.
Ngjarja prestigjioze, që mbledh fonde për Muzeun e Akademisë së Filmit, këtë vit nderoi emra të njohur si Penélope Cruz, Walter Salles, Bruce Springsteen dhe aktorin e “Saturday Night Live”, Bowen Yang. Vitin e kaluar, gala grumbulloi mbi 11 milionë dollarë.
Vetëm një ditë më parë, Selena mori pjesë në ndarjen e çmimeve “Daytime Emmy”, ku ishte e nominuar për kategorinë “Seria më e mirë kulinare” me emisionin e saj “Selena + Restaurant”.
Edhe pse çmimin e fitoi “Delicious Miss Brown”, Gomez u vlerësua për suksesin e tretë radhazi në këtë kategori, pas “Selena + Chef” dhe versionit të tij festiv.
Emisioni “Selena + Restaurant”, i publikuar në platformën Max në maj 2024, ndjek Gomez dhe mikeshën e saj Raquelle Stevens teksa eksplorojnë gastronominë e pasur të Los Angeles-it, duke kombinuar pasionin për ushqimin me ndjeshmërinë e saj të ngrohtë dhe humorin karakteristik.