Në episodin e radhës të podcastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria ka vendosur të marrë përsipër ndërtimin dhe transformimin e infrastrukturës së sistemit të drejtësisë.
Kam vënë re me keqardhje që vetëqeverisja e sistemit të drejtësisë, për shkak të pavarësisë së plotë, ndër ato të çalat e veta, ka edhe po themi dobësinë e madhe në administrimin e infrastrukturës.
Transformimi i infrastrukturës, transformimi i godinave pa projekte të besueshme, është mision i pamundur. Përfundimisht kemi vendosur që edhe këtë mision ta marrim përsipër vetë.
Në Shqipërinë 2030 do të kemi një infrastrukturë të re të godinave të drejtësisë, sepse nuk mund të vazhdojmë më me ngushtësira që përkthehen në një performancë që lë shumë për të dëshiruar, vuri në dukje shefi i qeverisë, Rama.
Kryeministri u ndal edhe te problematika e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme. Rama theksoi se pastrimi i tyre nuk është një aksion i përkohshëm, por një “operacion kirurgjikal” që do të prekë çdo pjesë të organizimit urban të vendit.
Hapësirat publike vazhdojnë me pastrimin. Nuk është një aksion, por një operacion që do të vazhdojë në mënyrë kirurgjikale në çdo pjesë të organizimit urban të vendit, në çdo pjesë të organizimit urban të kryeqytetit. Do të pastrohet çdo pjesë e prekur nga këta çibanë të patolerueshëm, vendin e të cilëve do ta zërë një hapësirë e re bashkëjetese të komunitetit.
Natyrisht që Tirana nuk është Teherani, e kam thënë edhe herë të tjera dhe ne nuk do t’i mbyllim brenda të gjithë ata që kanë shërbime edhe jashtë derës së njësisë, por ama do të vendosim kufijtë e qartë, sepse nuk mund të lejohet që në hapësirën e një komuniteti, ngrehinat e vendosura aty me pahirin e forcës apo me pahirin e shpërfilljes së ligjit e të marrëdhënies së bashkëjetesës së shëndetshme qytetare, të bëjnë ligjin.