Vendimi shënon një tjetër hap të rëndësishëm në tërheqjen e tij përfundimtare nga jeta publike dhe vjen mes polemikave të vazhdueshme për lidhjet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.
Sipas raportimeve të The Guardian dhe BBC, Andrew do të dorëzojë menjëherë titullin Duka i Jorkut, si dhe do të heqë dorë nga emërimet e tij në Urdhrin e Garterit dhe Urdhrin Mbretëror Viktorian.
Këto ishin ndër nderimet e fundit që ai mbante, pasi në vitin 2022 iu hoqën të gjitha rolet ushtarake dhe detyrat publike.
Në një deklaratë nga Pallati Buckingham, princi tha se “pas një diskutimi me Mbretin dhe familjen e tij të ngushtë, është rënë dakord që akuzat e vazhdueshme kundër tij kanë krijuar shpërqendrim për monarkinë”.
Me pëlqimin e Madhërisë së Tij, unë nuk do ta përdor më titullin tim apo nderimet që më janë dhënë. I mohoj me forcë akuzat kundër meje
-thuhet në deklaratë.
Megjithëse Andrew do të heqë dorë nga titulli Duka i Jorkut, ai mbetet princ me të drejtë lindjeje — një status që mund të hiqet vetëm përmes një akti të Parlamentit.
Edhe ish-bashkëshortja e tij, Sarah, Dukesha e Jorkut, pritet të mos e përdorë më titullin dhe të njihet publikisht si Sarah Ferguson.
Ky zhvillim vjen pas raportimeve të reja që sugjerojnë se Andrew ka ruajtur kontakte me Epstein edhe pas ndarjes së tyre në vitin 2010, si dhe pas rishfaqjes së interesit për kujtimet e Virginia Giuffre.
Burime nga Pallati kanë konfirmuar se vendimi për dorëzimin e titujve u mor pas diskutimeve “të ndjeshme” me Mbretin Charles, Princin e Uellsit, Princeshën Anne dhe Dukën e Edinburgut.
Dorëzimi i Urdhrit të Garter, nderimi më i lartë i kalorësisë në Britani, shihet si një goditje e madhe për princin, pasi iu dha personalisht nga Mbretëresha Elizabeth II për shërbim të jashtëzakonshëm ndaj Kurorës.
Pavarësisht ndryshimeve, Princi Andrew do të vazhdojë të jetojë në Royal Lodge në Windsor, pasi marrëveshja e tij e qirasë me Crown Estate nuk ndikohet nga ky vendim. Vajzat e tij, Princesha Beatrice dhe Princesha Eugenie, nuk preken nga ndryshimi i statusit të babait të tyre.
Ndërkohë, megjithëse Princi Andrew mbetet teknikisht Këshilltar i Shtetit, ai është klasifikuar si joaktiv që prej vitit 2022, në përputhje me politikën që përjashton anëtarët joaktivë të familjes mbretërore nga detyrat publike.