Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
MacBook Pro me M5 chip
Pra, Apple po përgatitet për MacBook Pro me M5 chip, dhe si gjithmonë, fansat e Apple janë me kartën në dorë, gati të paguajnë një veshkë për versionin bazë. Por prit… jo të gjitha modelet do dalin njëherësh. Sepse pse të të japin gjithçka sot, kur mund të të bëjnë të presësh, të vuash, e pastaj të blesh dy herë?
Ja si është situata: versioni bazë me M5 pritet të dalë shumë shpejt, ndërsa M5 Pro dhe M5 Max do vonohen deri në fillim të vitit tjetër. Ose siç do thonte Apple: “Në mënyrë që të përjetoni inovacionin… në dy këste.”
Tani, pse nuk duhet ta blesh menjëherë?
1. Sepse sapo ta blesh, Apple do prezantojë versionin tjetër që ka “dy cores më shumë” dhe një ngjyrë të re që do të bëjë të ndihesh i vjetër.
2. Sepse ndryshimi mes M4 dhe M5 do jetë aq i vogël, sa do duash mikroskop për ta parë.
3. Sepse nuk është mirë për shëndetin mendor të shpenzosh 3 mijë euro për të pasur “më pak lag” në Safari.
4. Dhe më e rëndësishmja: nuk ia vlen të blesh një MacBook të ri nëse s’e përdor për të bërë asgjë tjetër përveç Netflix, YouTube dhe një Excel me 3 rreshta.
Po, M5 mund të jetë “më efikas” dhe“më i shpejtë”, por në fund, çdo vit Apple të shet të njëjtin laptop me dy vida më pak dhe një emoji më shumë në keycap.
Këshilla ime? Prit versionin M5 Pro/Max, ose më mirë – prit M6, që do jetë aq i shpejtë sa s’do ketë nevojë për ty fare.