Manchester Unitedi ka shënuar fitore të madhe në udhëtim te Liverpooli, në kuadër të xhiros së tetë në Ligën Premier.
“Djajtë e Kuq” i arkëtuan pikët e plota ndaj rivalit të përbetuar me rezultat të ngushtë 1:2.
Pas vetëm 63 sekondave lojë, Unitedi kaloi në epërsi përmes Bryan Mbeumo që shënoi pas asistimit të Diallos (2’).
Mbeumo do të mbahet mend në histori meqenëse ishte goli më i shpejtë që është shënuar në këtë përballje mes rivalësh të urryer.
Liverpooli tentoi të kthehet në lojë përmes Cody Gakpos, megjithatë ky i fundit goditi shtyllën.
Ndërkohë, Unitedi gjithashtu rrezikoi me anë të Bruno Fernandesit, por kapiteni dështoi nga afërsia.
Kësisoj, epilogu i kësaj pjese mbeti të jetë 0-1. Në 45 minutat e dytë, vendasit e nisën më mirë me Gakpon që kishte mundësi shënimi por nuk e konkretizoi aksionin.
Një rast të shkëlqyer e humbi edhe Mohamed Salah, që goditi shtyllën e djathtë.
Me hyrjen në lojë të Federico Chiesas, situata ndryshoi për mirë për vendasit. Italiani dhuroi një asistim fantastik te Gakpo, i cili e futi topin brenda rrjetës (78’).
Mirëpo, vetëm gjashtë minuta më vonë Harry Maguire shënoi me kokë pas asistimit të Bruno Fernandes për ta kthyer epërsinë dhe njëkohësisht vulosur fitoren e “Djajve të Kuq” (84’).
Gakpo kishte edhe një tjetër rast shënimi nga afërsia por prapë dështoi ta konkretizonte.
Me këtë fitore, Unitedi ngjitët në pozitën e nëntë me 13 pikë ndërsa Liverpooli qëndron në pozitën e tretë me 15 sosh.