Angelina Jolie vodhi shfaqjen në tapetin e kuq në premierën e filmit “Couture” në Romë, ku u shfaq me një fustan të zi mahnitës me shpinë të hapur që zbulonte tatuazhet e saj të mëdha.
Aktorja mori pjesë në eventin, i cili u zhvillua të shtunën, më 18 tetor, në Auditorium Parco Della Musica.
Për paraqitjen e saj, ajo zgjodhi një fustan të zi, me taka të zeza dhe geta transparente, ndërsa e kompletoi pamjen me disa bizhuteri diskrete. Ajo u shoqërua nga bashkë-yjet e saj Anyier Anei dhe Louis Garrel, si dhe skenaristja dhe regjisorja, Alice Winocour.
Në film, Angelina Jolie luan rolin e Maxine, një regjisoreje në moshë të mesme, së cilës i kërkohet të krijojë një film të shkurtër për Javën e Modës në Paris. Sipas Hollywood Reporter, Maxine diagnostikohet me kancer në gji gjatë xhirimeve.
Aktorja, e cila kohët e fundit foli publikisht për vendimin e saj për t’iu nënshtruar një mastektomie të dyfishtë parandaluese, i tha revistës Hello!: “Zgjodha ta bëj këtë ndërhyrje kirurgjikale sepse humba nënën dhe gjyshen time shumë herët. Unë kam gjenin BRCA, kështu që vendosa të bëj një mastektomi të dyfishtë një dekadë më parë. Pastaj hoqa edhe vezoret, sepse kjo i ndodhi nënës sime.” Nëna e saj, Marcheline Bertrand, ndërroi jetë në vitin 2007 në moshën 56 vjeç, pas një beteje me kancerin e vezoreve dhe të gjirit.
Aktorja gjithashtu theksoi se këto zgjedhje i përkasin ekskluzivisht asaj: “Nuk po them që të gjithë duhet të bëjnë të njëjtën gjë, por është e rëndësishme të kesh zgjedhje. Dhe nuk pendohem .” Muajin e kaluar, ndërsa promovonte filmin në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, aktorja foli për betejën e nënës së saj me kancerin dhe nuk mundi ta fshihte emocionin e saj.
“Mbaj mend një herë kur nëna ime ishte kancer, tha në një darkë ku njerëzit e pyetnin se si ndihej, ‘E tëra që më pyesin është për kancerin’. Pra, do të thoja, nëse njihni dikë që po kalon diçka të vështirë, pyeteni për gjithçka tjetër në jetën e tij. Ai është një person i plotë dhe është ende gjallë”, tha ajo.