Dizajnerja e njohur e modës Diane von Fürstenberg ka folur hapur për orientimin seksual të bashkëshortit të saj, Barry Diller, i cili në kujtimet e tij të reja “Who Knew”, të publikuara në mars të vitit 2025, pranoi se është homoseksual. Edhe pas këtij rrëfimi publik, Diane thekson se kjo nuk ka ndryshuar aspak marrëdhënien e tyre.
“Cila është diferenca?”, u shpreh ajo në një intervistë për Variety më 16 tetor. “Nuk e kuptoj. Por kjo nuk ndryshon asgjë. Më vjen keq, por është një pyetje e marrë”, tha ajo me qetësi. Dizajnerja 78-vjeçare, e cila është në lidhje me Diller që nga fundi i viteve ’70 dhe e martuar me të prej 24 vitesh, kujtoi gjithashtu edhe martesën e saj të parë me princin Egon von Fürstenberg, i cili gjithashtu kishte folur për biseksualitetin e tij pas ndarjes së tyre në vitin 1972.
“Jam martuar me dy burra gay, në rregull?” tha ajo me sinqeritet. “Nuk e di pse, por për mua ata nuk janë gay. Kjo nuk ndryshon asgjë për mënyrën si i shoh unë”. Diane theksoi se nuk e sheh mbështetjen e saj ndaj Barryt si diçka të jashtëzakonshme. “Njerëzit e shohin kështu, por për mua nuk është ashtu”, tha ajo. “Po, unë e nxisja ta shkruante librin, por për mua libri nuk ka të bëjë me këtë. Ai flet për jetën e tij”.
Ajo tregoi se Barry i ishte hapur që në fillim, shumë përpara se ta bënte publik rrëfimin e tij: “Unë isha personi i vetëm me të cilën ai ishte i hapur për 50 vjet. Pastaj, një ditë, ai vendosi ta shkruante librin”, rrëfeu Diane.
Ajo kujtoi edhe fillimet e lidhjes së tyre, duke thënë se nuk e kishte menduar kurrë se do të përfundonin si çift: “Në fillim mendova se do të ishim vetëm miq të mirë. Nuk e imagjinoja që do të bëhej diçka më shumë”, tha ajo.
“Por pastaj u kthye në pasion. Ai ishte shumë këmbëngulës. Ishte e pabesueshme”. Nga ana tjetër, Barry Diller ka treguar në kujtimet e tij se edhe për të kjo lidhje ishte një surprizë e madhe: “Nuk mund ta shpjegoj as për veten time, as për botën”, shkroi ai.
“Thjesht ndodhi mes nesh, pa motive apo manipulim. Në një mënyrë kozmike, duket se ishim të destinuar për njëri-tjetrin”. Ai shtoi se reagimi i parë pas gjithë kësaj ishte po aq i thjeshtë sa edhe titulli i librit të tij: “Kush do ta dinte?”.