Sot rreth orës 16:40, në rrugën magjistrale Ferizaj – Gjilan, saktësisht në fshatin Mirosalë, patrulla e Njësisë së Trafikut Rrugor ka hasur në flagrancë një automjet të tipit Audi me targa vendore, i cili po qarkullonte me shpejtësi prej 115 km/h, në një zonë ku kufizimi i lejuar është 50 km/h.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi bën të ditur se ndaj shoferit A.N., 29 vjeç, është shqiptuar gjobë prej 300 euro, 3 pikë negative dhe heqje e patentë-shoferit për 3 muaj.
“Matja e shpejtësisë është bërë me veturën zyrtare të pajisur me radar statik, që është pjesë e planit operativ për kontrollin e shpejtësisë në zonat me rrezik të shtuar. Ndaj shoferit A.N. (29 vjeç), është shqiptuar gjobë prej 300 euro, 3 pikë negative dhe heqje e patentë-shoferit për 3 muaj. Po ashtu, i njëjti është përjashtuar nga komunikacioni”, thuhet në njoftim.
Policia apelon të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e komunikacionit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve me pasoja për njerëz dhe me dëme materiale./21Media