Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Tesla FSD
Pra, ja çfarë po ndodh: autoritetet amerikane kanë hapur një hetim të ri ndaj Tesla-s, sepse makina me Full Self-Driving (FSD) – ajo që supozohet të drejtojë veten – po del pak nga kontrolli.
Sipas agjencisë amerikane të sigurisë rrugore, janë marrë mbi 50 raportime që tregojnë se makinat me FSD kanë kaluar semaforë të kuq, kanë hyrë në korsi të kundërt, apo madje kanë marrë kthesa në drejtimin e gabuar. Katër nga këto raste kanë përfunduar me lëndime.
Përfytyroje: je në makinë, ajo thotë “relaksohu, po e mbaj unë timonin” — dhe pastaj bam, të çon në korsinë e kundërt. Jo shumë “self-driving”, apo jo?
Kjo është hera e parë që hetimi fokusohet kaq drejtpërdrejt tek versioni më i avancuar i autopilotit të Teslës, jo tek sistemi i vjetër. Dhe ironikisht, hetimi u hap pikërisht në të njëjtën javë që Elon Musk doli me versionin e ri të softuerit, atë që ai e quajti “më i zgjuari ndonjëherë”.
Hetimi është në fazat e para, por nëse gjenden prova të forta, kjo mund të çojë deri në thirrje për rikthim (recall) të sistemit.
Ndërkohë, Tesla thotë se po “adreson” disa nga këto situata – madje në një qytet të vogël në Maryland, makinat e tij kishin bërë të njëjtin gabim disa herë në të njëjtin kryqëzim.
Pra, po jetojmë në një kohë ku makina “e së ardhmes” ndonjëherë harron se e kuqja do të thotë “ndalo”. Dhe për momentin, duket se njeriu prapa timonit ende s’është i tepërt.