Kreu i Listës Serbe Zlatan Elek ka pranuar faktin që Serbia ka ndërhyrë direkt në zgjedhjet lokale 2025 në Kosovë.
Ai pas zgjedhjeve ka falënderuar Serbinë, presidentin Aleksandar Vuçiq dhe të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën për fitoren e Listë Serbe në nëntë nga dhjetë komuna.
Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë ishte ngritur si shqetësim dhe dënuar nga Prishtina zyrtare dhe Parlamenti Evropian, raporton KosovaPress.
Presidentja Vjosa Osmani e kryeministrin në detyrë Albin Kurti kanë akuzuar vazhdimisht Beogradin se po ndërhyn në zgjedhje. Osmani ka theksuar se ndërhyrjet e drejtpërdrejta të Serbisë në zgjedhjet lokale, po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës.
Ajo ka dënuar ashpër ndërhyrjet e Beogradit zyrtar dhe u bëri apel të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë, si dhe atyre ndërkombëtarë, që të kontribuojnë në mbrojtjen e votës së lirë dhe të dënojnë çdo akt të jashtëligjshëm që cenon vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës.
Osmani: Serbia po tenton të blejë vota në Kosovë, trimërohet sepse nuk ndëshkohet
Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës akuzoi Serbinë se po ndërhyn në zgjedhje përmes premtimeve për vende pune dhe përfitime financiare duke thënë se veprimet e Vuçiq dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve.
“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, tha ai.
Kurti: Serbia po ndërhyn në zgjedhjet në Kosovë , BE-ja ta sanksionojë Beogradin
Serbia ndan të ardhura nga buxheti shtetëror për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë. Këtu përfshihen paga, pensione, shtesa për fëmijë dhe ndihma të tjera financiare.
Vuçiq para zgjedhjeve të 12 tetorit kishte theksuar për mediat serbe se “do t’i hapin 400 vende të reja pune në strukturën e kujdesit shëndetësor në Kosovë”.
Lidhur me këtë premtim reagoi edhe ministri në detyrë i pushtetit lokal, Nenad Rashiq, i cili vjen nga komuniteti serb në Kosovë. Ai tha se në çdo palë zgjedhje regjimi në Beograd premton qindra vende pune, e më pas konkurset përmbyllen me dhjetëra punësime të njerëzve që kanë lidhje me Listën Serbe.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka dënuar ashpër manipulimin dhe ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e 12 tetorit, duke i cilësuar ato si “armiqësore dhe përshkallëzuese”.
“Ndikimi dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Serbisë në zgjedhje janë bërë sërish të qarta. Zyrtarët e Qeverisë së Serbisë publikisht kanë shpallur mbështetjen e tyre për një parti të caktuar politike serbe të Kosovës, kanë shpallur zgjerimin e skemës së ndihmës sociale në Kosovë dhe kanë njoftuar për mundësi të reja të punësimit afatshkurtër në institucionet e drejtuara nga Serbia në Kosovë, në ditët para zgjedhjeve”, ka thënë Terras.
Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 kishte evidentuar ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës.