Stina e vjeshtës mund të jetë ndër stinët më problematike për cilësinë e ajrit, pasi tani fillon sezoni i ngrohjes me dru në shumicën e amvisërive. Nga djegia e drunjve, prezenca e grimcave pm10 di të kalojë kufirin prej 50 mikrogramësh për metër kub. Çmimi i drunjve për ngrohje këtë vit ka arritur deri në 4.800 denarë për metër kub me transport të përfshirë, që paraqet rritje në krahasim me çmimin e vitit të kaluar, kur drutë shiteshin nga 4.000 deri në 4.500 denarë. Qytetarët e anketuar nga TVM2, thonë se me gjithë dëshirën që të ngrohen me dru, kanë zgjedhur të ngrohen me kondicioner, pasi që çmimi i drurit është i shtrenjtë dhe ngrohja me kondicionerë u duket pak më ekonomike.
“Unë ngrohem me ngrohje qendrore, është shtrenjtë apo jo askush nuk na pyet, duhet patjetër të ngrohemi me diçka në sezonin e dimrit. Me dru nuk ngrohemi se është shumë shtrenjtë, është më mirë, por çmimi i drurit është shumë i lartë.”, – tha një qytetar.
“Me kondicioner ngrohemi, diku 150 euro në muaj, nuk është e përballueshme, por ajo është. Nuk kemi provuar me dru 10 vitet e kaluara, edhe drutë janë bërë shtrenjtë 100 euro metra, edhe ato kanë punë.”, – tha një qytetar tjetër.
“Ngrohemi me rrymë. Me gjithçka që ngrohemi është shtrenjtë dhe me paletë dhe dru është shtrenjtë.”, – u shpreh një qytetar.
Më shumë se gjysma e amvisërive në vend ngrohen me dru, tregojnë të dhënat nga regjistrimi i fundit. Prej rreth 600 mijë amvisërive, madje 312 mijë përdorin dru për ngrohje, prej të cilave pothuajse 150 mijë janë në mjedise urbane. Drutë mbeten burimi më i përdorur i ngrohjes – veçanërisht në mjediset urbane dhe në Shkup, ku rreth 55.000 amvisëri ende ngrohen me dru. Ndërkohë, ngrohja qendrore është në dispozicion vetëm për një pjesë të popullsisë. Përkatësisht 21 për qind apo rreth 125.700 amvisëri, janë të kyçura në sistemet e ngrohjes me radiator.