Ademi: VLEN nuk ka më votë shqiptare, është kthyer në vasal politik të Mickoskit

featured
Shpërndaje

Ndani këtë postim

ose kopjoni lidhjen

Në një konferencë për media të mbajtur sot, nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, reagoi ashpër ndaj qëndrimeve dhe veprimeve të koalicionit VLEN, të cilin e akuzoi për nënshtrim të plotë politik ndaj VMRO-DPMNE-së dhe liderit të saj, Hristijan Mickoski. “Ajo që po ndodh sot në skenën politike shqiptare është e pashembullt në historinë e pluralizmit,” tha Ademi.

“Sot kemi një koalicion që e quan veten ‘shqiptar’, por që bën fushatë për kandidatin maqedonas të VMRO-DPMNE-së – dhe e bën këtë me krenari, me servilizëm dhe me nënshtrim publik. VLEN nuk po lufton për votën e shqiptarëve, por për mbijetesën e vet politike, përmes përkrahjes së padronit të saj politik”. Ai theksoi se në Komunën e Butelit, aty ku shqiptarët janë të bashkuar për herë të parë rreth një kandidati të vetëm – dr. Isamedin Azizi – “VLEN ka zgjedhur të rreshtohet në anën e VMRO-së”. Ademi denoncoi pjesëmarrjen e drejtuesve të VLEN-it në aktivitete të përbashkëta me VMRO-në dhe kandidatin e saj, Darko Kostovski.

“Liderët e tyre sot shëtisin në Luboten me Hristijan Mickoskin dhe kandidatin e tij, njeriun që mbështetet publikisht nga Johan Tarçullovski – i njohur për të bëmat e tij në këtë fshat. Dhe për ironi, ata që dikur derdhnin ‘lot krokodili’ për martirët e Lubotenit, sot kërkojnë votën e shqiptarëve për kumbarët e Tarçullovskit,” deklaroi ai.

“Pyetja që lind është e thjeshtë: deri ku mund të shkoni? Deri në çfarë niveli mund të përuleni – vetëm për një karrige pa pushtet?”, shtoi Ademi, duke akuzuar se “VLEN nuk ka më votë shqiptare, nuk ka më mbështetje dhe as respekt”. Sipas nënkryetarit të BDI-së, fushata e VLEN-it është shndërruar në një “lëmoshë politike” ndaj VMRO-së. “Në Gostivar, kandidati i tyre shkoi në tubimin e VMRO-së për të lutur për votën e tyre. Në Butel, shkon vetë kryesia e tyre për t’u përkulur për një votë të votuesve të VMRO-së. Kjo nuk është bashkëpunim – është vasalitet politik, nënshtrim i plotë ndaj padronit që ua jep oksigjenin elektoral për mbijetesë”.

Ademi theksoi se qëndrimet e fundit të koalicionit VLEN dëshmojnë se ai nuk përfaqëson më interesat shqiptare, as politike, as kombëtare.

“VLEN nuk përfaqëson më asnjë interes shqiptar. Në një kohë kur shqiptarët në Butel janë të bashkuar për një fitore historike, VLEN po përpiqet ta minojë këtë unitet për t’i shërbyer padronit të vet, në një garë mes Darkos dhe Isamedinit”. Ai shtoi se “as vota e VMRO-së nuk do t’i shpëtojë”, sepse “populli shqiptar do t’u japë përgjigjen e merituar më 19 tetor – me votë, me dinjitet dhe me unitet”. Në fund, Ademi tha se dita e zgjedhjeve lokale do të jetë “moment historik ndarjeje”.

“19 tetori do të jetë dita e ndarjes mes dinjitetit dhe turpit, mes besnikërisë dhe nënshtrimit. Në njërën anë – shqiptarët e bashkuar për dinjitet. Në anën tjetër – VLEN e përkulur për mbijetesë. Historia do ta shkruajë këtë ditë – dhe emrat do të mbeten aty ku u rreshtuan: në krah të popullit, ose në krah të padronit”.

Ademi: VLEN nuk ka më votë shqiptare, është kthyer në vasal politik të Mickoskit
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *