Ministri gjerman i Punëve të Jashtme Johann Wadephul ka deklaruar se vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen para një “dritareje të vërtetë mundësish” për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por paralajmëron se procesi nuk mund të zgjasë pafundësisht.
Duke folur në një konferencë në Belfast, Wadephul tha se shtetet kandidate të rajonit kanë shpresa të mëdha për përparim, por gjithashtu ndjejnë frikë se integrimi në BE mund të mbetet një proces pa fund dhe pa rezultate konkrete.
“Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nuk duhet të ndodhë në një moment të paqartë, por në një të ardhme të afërt,” – deklaroi Wadephul.
“Mandati aktual i Komisionit dhe Parlamentit Evropian, që zgjat deri në vitin 2029, është një mundësi që duhet shfrytëzuar,” shtoi ai.
Nisma e Procesit të Berlinit, e nisur në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, synon të forcojë bashkëpunimin midis Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Aktualisht, nismën e kryeson Mbretëria e Bashkuar, e cila paradoksalisht është jashtë BE-së pas Brexitit.
Deklarata e ministrit gjerman vjen në një moment kur procesi i zgjerimit të BE-së është në ngërç, ndërsa ndikimi rus dhe kinez në rajon po rritet, shkruan PressOnline.al
Fjalët e Wadephul janë një sinjal politik se Berlini po rikthen vëmendjen ndaj Ballkanit, duke kërkuar që Brukseli të tregojë vullnet të vërtetë politik për ta përfshirë rajonin brenda dekadës.
Për vendet e Ballkanit, kjo deklaratë përbën një nxitje për përshpejtimin e reformave dhe forcimin e sundimit të ligjit, ndërsa për BE-në është një kujtesë se besueshmëria e saj ndaj fqinjëve të afërt është në provë. (PressOnline.al)




