Pas valës së shqetësimeve që shpërthyen në rrjetet sociale, Dolly Parton ka reaguar për të sqaruar gjendjen e saj shëndetësore. Arsyeja ishte një postim i motrës së saj, Frida, e cila u kërkonte ndjekësve të luteshin për këngëtaren, duke lënë të kuptohej se ajo po kalonte një periudhë të vështirë.
Në një video të publikuar të mërkurën, më 8 tetor, në platformën X (ish-Twitter), Parton, 79 vjeçe, reagoi me humor dhe sinqeritet:
Nuk kam vdekur ende!
-shkroi ajo në mbishkrimin e videos, duke shpjeguar se ndonëse ka disa probleme shëndetësore, gjendja e saj nuk është aq e rëndë sa po mendojnë njerëzit.
Disa mendojnë se jam më e sëmurë nga ç’jam në të vërtetë. A ju dukem e sëmurë? Po punoj shumë këtu!
-tha ylli i muzikës country, e buzëqeshur në video.
Ajo falënderoi fansat për kujdesin dhe lutjet e tyre, duke theksuar se e vlerëson mbështetjen e tyre, por nuk ka arsye për alarm.
Unë jam një person besimtar dhe gjithmonë i vlerësoj lutjet, por dua që ju të dini se jam mirë. Po përballem me disa probleme, siç e kam përmendur, por gjithçka është nën kontroll
-shtoi ajo.
Frida Parton, motra e këngëtares, kishte shkruar një ditë më parë në Facebook se kishte kaluar natën duke u lutur për motrën e saj dhe i kishte kërkuar fansave të bashkoheshin në lutje. Postimi i saj krijoi panik në rrjet, duke bërë që shumë admirues të shqetësoheshin për shëndetin e ikonës së muzikës country.
Megjithatë, disa orë më vonë, Frida u rikthye me një postim të ri, duke sqaruar se nuk kishte dashur të trembte askënd.
Ajo është pak keq dhe unë thjesht kërkova lutje sepse besoj thellësisht në fuqinë e lutjes. Nuk ishte gjë tjetër veçse një motër e vogël që kërkonte lutje për motrën e saj të madhe
Pas reagimit të Dolly Parton, fansat janë qetësuar, duke u shprehur të lumtur që artistja legjendare vazhdon të jetë aktive dhe me humorin e saj karakteristik.