Izraeli dhe Hamasi drejt arritjes së marrëveshjes për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh brenda 48 orëve të ardhshme!

featured
Shpërndaje

Ndani këtë postim

ose kopjoni lidhjen

Bisedimet e ndërmjetësuara mes Izraelit dhe Hamasit po përqendrohen në ndalimin e luftimeve, tërheqjen e trupave izraelite nga Rripi i Gazës dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me të burgosur palestinezë, sipas një raporti të Reuters.

Burime të afërta me negociatat kanë konfirmuar për agjencinë se pika më e ndjeshme e diskutimit është mekanizmi i tërheqjes së Izraelit.

Hamasi kërkon një afat të qartë dhe të detyrueshëm, i cili do të lidhet me lirimin gradual të pengjeve dhe do të garantojë tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza.

Sipas të njëjtave burime, Hamasi ka dorëzuar tashmë listat me pengjet që mban dhe emrat e të burgosurve palestinezë që kërkon të lirohen, duke shprehur një optimizëm të kujdesshëm për ecurinë e bisedimeve. Lista përfshin disa nga emrat më të njohur të të burgosurve palestinezë, të cilët nuk kanë qenë pjesë e marrëveshjeve të mëparshme për armëpushim.

Një burim palestinez që ndjek nga afër negociatat bëri të ditur se në listë përfshihen Maruan al-Barghouti, figurë e rëndësishme e lëvizjes Fatah, si dhe Ahmed Saadat, udhëheqës i Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm për përfshirje në sulme që kanë shkaktuar vdekjen e civilëve izraelitë.

Marrëveshja mund të arrihet brenda 48 orëve

Burime pranë negociatave thanë për Reuters se një marrëveshje për armëpushim në Gaza mund të arrihet brenda 48 orëve. Dy burime izraelite konfirmuan se marrëveshja është “shumë afër”, me njëra prej tyre që shprehu mundësinë që njoftimi zyrtar të bëhet brenda 24 orëve.

Një burim i tretë tha se marrëveshja mund të përfundohet brenda dy ditëve të ardhshme dhe lirimi i pengjeve të nisë në fillim të javës që vjen. Një zyrtar amerikan konfirmoi gjithashtu se ka pasur përparim, duke deklaruar se marrëveshja mund të arrihet “brenda disa ditësh”.

Në një tjetër sinjal pozitiv, një zyrtar izraelit, që foli në kushte anonimiteti, tha se qeveria izraelite ka filluar punën për një draft paraprak të një rezolute për armëpushim, e cila do të paraqitet për miratim në kabinetin qeveritar në rast se arrihet marrëveshja.

Sipas ligjit izraelit, çdo vendim për lirimin e të burgosurve palestinezë në kuadër të një marrëveshjeje për pengjet, duhet të miratohet më parë nga qeveria.

 

Izraeli dhe Hamasi drejt arritjes së marrëveshjes për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh brenda 48 orëve të ardhshme!
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *