Vetoja bullgare sërish po bëhet pengesa kryesore për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Analistët paralajmërojnë se Sofja gjithnjë e më shumë po e përdor “çështjen maqedonase” si mjet për të mbrojtur ndikimin e saj, sidomos në një moment kur në BE po shqyrtohet mundësia e heqjes së të drejtës së vetos gjatë procesit të zgjerimit, shkruan PressOnline.al.
Portali prestigjioz “Politico” shkruan se Bullgaria mund t’i bashkohet kryeministrit hungarez Viktor Orbán në përpjekjet e tij për të bllokuar përparimin e Ukrainës drejt Unionit – jo për shkak të simpatisë ndaj Moskës, por për të ruajtur të drejtën e vetos, që prek drejtpërdrejt Shkupin.
Ironia është e qartë: një shtet që vetë hyri në BE me përkrahje të fortë nga Brukseli, sot e shfrytëzon Unionin për tregti politike. Sipas ekspertëve, kjo mund ta shndërrojë përsëri Maqedoninë në peng të një loje të madhe shahu evropian.
Ish-ambasadori në Sofje, Marjan Gjorgiev, thekson se Maqedonia e Veriut duhet të insistojë në rregulla të barabarta si për të gjithë kandidatët. “Rruga jonë evropiane është e përcaktuar që nga viti 2001 dhe nuk duhet të lejojmë që fqinjët të na vendosin kushte që nuk vlejnë për të tjerët. Njëherë iu dhamë lëshime grekëve dhe pamë çfarë ndodhi. Nuk guxojmë të përsërisim të njëjtën gjë edhe me Bullgarinë, sepse atëherë kjo gjë nuk do të ketë fund,” deklaron ai.
Por, sipas një pjese të analistëve, përgjegjësia për ngecjen nuk qëndron vetëm tek vetoja bullgare, por edhe tek mënyra si po e menaxhon procesin qeveria e Hristijan Mickoskit. Qeveria aktuale akuzohet se po ndjek një politikë kontradiktore: nga njëra anë deklaron publikisht përkushtim ndaj integrimit evropian, ndërsa nga ana tjetër, me retorikë nacionaliste dhe mungesë guximi politik, e komplikon edhe më shumë procesin. Mosgatishmëria e Mickoskit për të ndërtuar konsensus të gjerë politik në vend dhe për të dërguar sinjale konstruktive në Bruksel po shihet si faktor shtesë i bllokimit.
Fakti mbetet – Maqedonia e Veriut përsëri po përballet me stagnim në integrimin evropian. Përderisa Ukraina dhe Moldavia ecin me ritme të shpejta drejt anëtarësimit, vendi ynë ngec, duke u mbajtur peng i mosmarrëveshjeve bilaterale dhe i qasjes së ngurtë të qeverisë aktuale. Ky standard i dyfishtë jo vetëm që minon besimin në drejtësinë e procesit evropian, por edhe thellon ndjesinë se Maqedonia është bërë një “pion i ngecur” në tavolinën e madhe evropiane të shahut – dhe këtë herë, jo vetëm për faj të fqinjëve, por edhe për shkak të paaftësisë së qeverisë së Mickoskit. (PressOnline.al)


