Kai Trump me një markë bluzash sportive jashtë Shtëpisë së Bardhë/Po konflikti i interesit?

featured
Press Online
03 Tetor 2025, 17:49

Kai Trump, mbesa e Donald Trump-it prezantoi një markë bluzash me video të realizuara në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë. 18-vjeçarja, vajza më e madhe e Donald Jr. dhe ish-gruas së tij Vanessa Haydon, bëri foto e xhroi disa video për të lançuar markën e saj, duke shfrytëzuar fuqinë komunikuese të rezidencës presidenciale.

Mediat amerikane e veçanërisht Wall Street Journal, kanë ngritur shqetësime në lidhje me një konflikt të mundshëm interesi. Kai Trump ka hapur një faqe interneti ku shet bluza pambuku për 130 dollarë secila.

Ndikimi i golfit

Mbesa e presidentit amerikan është shumë popullore në mediat sociale. Kai numëron 2.2 milionë ndjekës në Instagram dhe 3.3 milion në TikTok. Ndërkaq, ndan pasionin e gjyshit të saj për golfin (ka luajtur me Charlie Woods, djalin e Tiger-it), sport që e praktikon në një nivel të lartë si atlete në Universitetin e Miamit.

Golfi ishte në fokus të një prej videove kur promovoi bluza me inicialet e saj. Aty shfaqej duke praktikuar disa goditje në kopshtin përpara Shtëpisë së Bardhë. Një tjetër zgjedhje e diskutueshme ka të bëjë përsëri me sportin e luajtur në fushat e gjelbra: Kai u filmua duke veshur bluzat e saj ndërsa zbriste nga Air Force One me Donald Trump-in.

Avioni do të fluturonte drejt Nju Jorkut, për të marrë pjesë në Ryder Cup, gara kryesore e golfit që mbahet çdo dy vjet mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara.

Rreziku i konfliktit të interesit:

Përdorimi promocional i Shtëpisë së Bardhë dhe Air Force One-it ka sjellë vëmendjen te vija e hollë midis biznesit familjar e simboleve institucionale. Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë mohoi çdo konflikt interesi:

Asgjë nuk e ndalon bërjen e fotove në Shtëpinë e Bardhë, as nuk ka një miratim qeveritar për këtë produkt.

Megjithatë, Wall Street Journal vuri në dukje se kjo nuk është hera e parë që ka lindur një konflikt interesi pak a shumë delikat brenda familjes Trump. Vajza e tij Ivanka, një këshilltare e papaguar e babait të saj gjatë mandatit të parë presidencial, në vitet 2016-2020, vazhdoi të fitonte para nga një linjë veshjesh që mbante gjatë paraqitjeve të saj, po në Shtëpinë e Bardhë.

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter