Mot i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm dhe vetëtima pritet sot. Do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe erë të dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Lokalisht paralajmërohet mot i keq me shi më të rrëmbyeshëm, ku në kohë të shkurtër mund të bien mbi 20 litra për metër katror, si dhe me erë të fuqishme që do të arrijë mbi 60 kilometra në orë dhe me kushte për paraqitje të izoluar të breshrit. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 12 deri në 20 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 26 deri në 32 gradë Celsius.
Në Shkup do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe mot i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm dhe vetëtima, në disa pjesë të luginës në formë të motit të keq afatshkurtër. Gjatë ditës do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të zbresë deri në 17 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 30 gradë Celsius.
Sipas njoftimeve të Administratës për Punë Hidrometeorologjike (UHMR), nga nesër pason një periudhë me mot kryesisht të qëndrueshëm. Deri të dielën do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu, ndërsa nga e hëna era do ta ndryshojë drejtimin në jug.


