Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot alarmoi për mundësinë që Bullgaria të përballet me një shkelje serioze të sigurisë, e cila paraqet rrezik jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe për përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare.
Duke folur për rastin me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sistemet naviguese të së cilës u bllokuan mbi hapësirën ajrore të Bullgarisë, Osmani konfirmoi se një situatë identike i kishte ndodhur edhe atij në vitin 2023. Ky fakt, deri më tani i panjohur, u publikua dje nga një pjesë e mediave në rajon. Ngjarja kishte ndodhur gjatë kohës kur ai ishte Kryesues i OSBE-së dhe kthehej nga një vizitë zyrtare në Moldavi.
“Ne nuk e bëmë publike atë ngjarje, sepse menduam se ishte rast i izoluar. Mirëpo, kur tani ndodh që Kryesuesi i OSBE-së dhe Presidentja e BE-së të sulmohen nga instalime ruse në Bullgari, kjo e ngrit çështjen në një nivel më të lartë,” deklaroi Osmani.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një skemë të vendosur të sulmeve hibride me teknologjinë e bllokimit (jam technology), e cila pengon sistemet e komunikimit dhe të navigimit të avionëve, ndërkohë që destabilizon edhe arkitekturën e sigurisë së NATO-s dhe BE-së.
“Kjo e ngrit çështjen e ndërhyrjes ruse, të sigurisë kombëtare të Bullgarisë dhe të sigurisë së organizatave ndërkombëtare.”
Osmani vlerësoi se situata duhet të trajtohet me prioritetin më të lartë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare:
“Kjo, mendoj, i ka shqetësuar edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë, sepse duket se kjo tashmë është bërë një skemë e vendosur atje dhe duhet të merren masa,” tha Osmani.
Në kushtet e tensioneve gjeopolitike të shtuara dhe kërcënimeve hibride, Osmani thekson se nuk bëhet fjalë për incidente të izoluara, por për një sfidë sistemike për sigurinë e të gjithë rajonit dhe të institucioneve evropiane.


