Kryetarja e Këshillit për Etikë në Media, Nora Kaliqi, ka reaguar me shqetësim pas aktit të dëmtimit të makinës së gazetarit Naser Selmani, duke e cilësuar atë si një tentativë për ta frikësuar një zë të lirë të medias.
“Dëmtimi i makinës së tij nuk është thjesht një akt vandalizmi i ulët, por një tentativë për të dërguar mesazh frikësues ndaj një gazetari të lirë. Këto metoda primitive nuk guxojnë të kenë vend në një shoqëri që pretendon të ndërtojë demokraci”, thekson Kaliqi.
Ajo kërkon që institucionet shtetërore ta hetojnë me seriozitet rastin dhe ta zbardhin deri në fund, duke sjellë para drejtësisë autorët dhe inspiratorët e këtij akti. “Heshtja ose mosndëshkimi vetëm sa hap rrugë për veprime edhe më të rënda”, paralajmëroi Kaliqi.
Duke shprehur solidaritet të plotë me Naser Selmanin, ajo theksoi se “zëri nuk mund të mbyllet me thika, kërcënime apo presione”.



