Komunat presin zgjidhje, kandidatët japin retorikë

Nga Destan Jonuzi
Një nga mangësitë kryesore të politikanëve shqiptar është se gjithmonë flasin në vetën e parë: “Unë jam lideri, unë jam eksperti, unë jam hartuesi, unë jam implementuesi…”. Kjo e dobëson paraqitjen publike të kandidatëve për kryetar komunash dhe lidershipit politik shqiptar.
Që nga shpallja e pavarësisë, liderët shqiptarë rrallë janë bazuar në programet që hartojnë dhe prezantojnë në broshura elektorale. Retorika e tyre është e mbushur më shumë me sulme ndaj njëri-tjetrit dhe me tema nacionale, të cilat u takojnë zgjedhjeve parlamentare, jo atyre lokale.
Defekti i parë i kandidatëve për kryetarë komunash dhe i partive është mosfokusimi tek çështjet lokale. Një qytetar i zakonshëm në një komunë ka më shumë interes për zgjidhjen e problemeve ekologjike, si mbeturinat urbane dhe ndërtimore, të cilat hidhen në mënyrë të pakontrolluar pa asnjë masë ndëshkuese.
Kandidatët duhet të merren me problemet thelbësore: mungesën e shtigjeve për biçikleta, mungesën e qasjes për personat me aftësi të kufizuara, dendësinë e rrugëve që shkakton aksidente trafiku, si dhe problemet e urbanizimit.
Prandaj, fokusi i partive dhe kandidatëve në zgjedhjet lokale duhet të jetë mbi gjithçka tek problemet lokale, të cilat prekin drejtpërdrejt qytetarët. Vetëm bashkë me qytetarët mund të gjenden zgjidhje reale për zhvillimin urban dhe ekologjik të komunave.(PressOnline.al)