Forcat izraelite bombarduan periferitë e qytetit të Gazës gjatë natës së të shtunës dhe mëngjesin e të dielës nga ajri dhe nga toka.
Si pasojë, shumë banesa u shkatërruan dhe shumë familje u detyruan të largohen nga zona, ndërsa Netanjahu mbledh qeverinë për të diskutuar planin për pushtimin e plotë të qytetit.
Autoritetet lokale shëndetësore palestineze thanë se të shtënat me armë zjarri dhe sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 30 persona, 13 prej të cilëve ishin në përpjekje për të marrë ndihma e ushqime.
Nga ushtria izraelite kanë thënë se po shqyrtojnë raportet, ndërsa banorët e një prej lagjeve më të mëdha të Gazës treguan se territori kishte qenë në sulm gjatë gjithë natës.
Ushtria izraelite ka përshkallëzuar gradualisht operacionet e saj rreth qytetit të Gazës gjatë tre javëve të fundit dhe të premten i dha fund pauzave të përkohshme në zonë që kishin lejuar shpërndarjen e ndihmave, duke e përcaktuar atë një zonë të rrezikshme luftimi.
Sipas autoriteteve lokale, pjesa më e madhe e palestinezëve jetojnë aktualisht në qytetin e Gazës. Një zhvendosje tjetër e tyre nga Izraeli do të ishte katastrofike mes krizës së urisë dhe shkatërrimit që ka lënë pas lufta rreth dy vjeçare.
Përveç Rripit të Gazës, në ditët e fundit ushtria izraelite ka bombarduar territore në Liban dhe Jemen. Sulmet vijnë mes tensioneve të shtuara përgjatë kufirit izraelito-libanez, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit mes dy vendeve një vit më parë.
/vizionplus.tv


