Në prag të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, vërehet një përplasje e re politike që nuk ka lidhje me çështjet komunale, por me orientimin strategjik të vendit drejt Bashkimit Evropian. Tema e BE-së, që prej një dekade dominohet nga krizë pas krize dhe nga vija të kuqe që herë shpallen e herë shkelën, po kthehet në mjet fushate, shkruan PressOnline.al
Propozimi i liderit opozitar, Venko Filipçe, për të sjellë në Kuvend një deklaratë “me kufij të qartë” – që në rast të një vetoje të re procesi i negociatave të ndërpritet – u refuzua menjëherë nga kryeministri Hristijan Mickoski. Për të, kjo është vetëm një “dinakëri politike” e një opozite që vuan nga mungesa e koherencës. Mickoski kujtoi se në të kaluarën janë bërë përpjekje të ngjashme me deklarata për refuzimin e ultimatumeve nga Sofja apo për mosndryshimin e emrit, por që më pas nuk janë respektuar as rezultatet e referendumit për Marrëveshjen e Prespës.
Në këtë mes, edhe Bujar Osmani, ish-ministri i Jashtëm, e shikon të dëmshme rikthimin e këtij debati. Për të, garancia më e madhe për të mos u përballur me veto të reja është respektimi i marrëveshjeve ekzistuese. Ai madje propozoi që të gjitha partitë politike të nënshkruajnë një “pakt heshtjeje” për çështjen evropiane gjatë fushatës lokale: as kritika, as akuza, por përgjegjësi e përbashkët.
Nga ana tjetër, kandidati i Frontit Evropian për Çair, Izet Mexhiti, i cili është njëkohësisht ministër i Mjedisit, dërgoi një mesazh të qartë se temat parlamentare nuk kanë vend në garën lokale. “Badenteri e Balanceri nuk janë çështje për zgjedhjet komunale”, tha ai, duke iu referuar instrumenteve kushtetuese për barazinë ndëretnike që opozita maqedonase shpesh i vë në qendër të fushatave.
Në thelb, kjo polemikë tregon edhe një herë se në vend ekziston një tendencë për të shmangur debatin real mbi problemet lokale – si infrastruktura, menaxhimi i komunave, shërbimet publike – dhe për ta zhvendosur gjithçka tek çështjet e mëdha shtetërore. BE-ja, integrimi dhe marrëveshjet me fqinjët vazhdojnë të përdoren si instrumente për të fituar poena politikë, edhe aty ku qytetarët presin përgjigje konkrete për jetën e përditshme.
Nëse partitë arrijnë apo jo marrëveshje për të mos e përfshirë këtë temë në fushatë, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt: për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, zgjedhjet lokale nuk janë as për referendume, as për veto, por për ujin, ndriçimin, rrugët dhe shërbimet që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës.(PressOnline.al)


