Itali – Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mëngjesin e sotëm, në Terminalin 1 të aeroportit të Malpensës.
Një burrë, i cili dyshohet të ketë qenë nën efektin e alkoolit ose substancave narkotike, është paraqitur në zonën e check-in me një çekiç në dorë, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve.
Fillimisht ai ka nisur të godasë dhe shkatërrojë monitorët e imbarkimit, ndërsa më pas ka tentuar t’u vërë zjarrin koshave të mbeturinave.
Personeli i aeroportit ndërhyri menjëherë, por burri u bë agresiv edhe ndaj tyre, duke u përpjekur t’i qëllonte me çekiç.
Vetëm falë ndërhyrjes së një operatori, i ndihmuar nga disa pasagjerë që ndodheshin në radhë, u arrit të neutralizohej agresori para se të shkaktonte lëndime.
Zjarrfikësit shuan menjëherë flakët dhe siguruan zonën, ndërsa policia shoqëroi personin e dhunshëm. Motivet e veprimit të tij mbeten ende të paqarta.
Autoritetet njoftuan se operacionet e imbarkimit dhe fluturimet nuk pësuan vonesa./vizionplus.tv


