Një ditë para takimit të shumëpritur me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska, presidenti amerikan Donald Trump ka folur nga Zyra Ovale për pritshmëritë që ka nga ky dialog.
I pyetur nga gazetarët nëse është i gatshëm t’i ofrojë Rusisë qasje në minerale të rralla tokësore si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Trump u përgjigj shkurt:
“Do të shohim çfarë do të ndodhë, kemi një takim të rëndësishëm.”
Ai shtoi: “Besoj se do të jetë shumë i rëndësishëm për Rusinë, por edhe për ne, sepse do të shpëtojmë shumë jetë njerëzish.”
Sa i përket mënyrës se si pritet të rrjedhë takimi, Trump u shpreh në stilin e tij karakteristik:
“Nëse është një takim i keq, do të mbarojë shumë shpejt. Nëse është i mirë, atëherë paqja do të vijë shumë shpejt.”
Presidenti amerikan theksoi se takimi i nesërm është vetëm hapi i parë:
“Do të jetë një takim i mirë, por takimi më i rëndësishëm do të jetë ai i dyti që do të kemi.”
Trump tha se në atë takim të dytë planifikon të përfshijë edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe ndoshta disa liderë evropianë.
“Ndoshta do të ftojmë disa liderë të Evropës, ndoshta jo,” u shpreh ai. Sërish, ai sugjeroi Alaskën si vendin ku mund të mbahet edhe ky takim i dytë, duke thënë se do të donte që të ndodhte “sa më shpejt”.
I pyetur nëse fakti që presidenti rus po vjen në Alaska për takime e vendos atë në një pozicion më të favorshëm, Trump u përgjigj me bindje:
“Nëse unë nuk do të isha president, ai do ta kishte marrë gjithë Ukrainën. Kjo është një luftë që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Nëse unë nuk do të isha president, sipas mendimit tim, ai do të kishte preferuar ta merrte gjithë Ukrainën. Por unë jam president, dhe ai nuk do të guxojë të luajë me mua.”
Deklaratat u bënë gjatë një aktiviteti që shënonte 90-vjetorin e kalimit të Ligjit të Sigurimeve Shoqërore në SHBA, por Trump, si shpesh herë, kaloi nga çështjet e brendshme në ato ndërkombëtare, duke e vënë sërish fokusin te lufta në Ukrainë dhe diplomacia me Rusinë.


