Negociatorët do të bëjnë një përpjekje tjetër për të arritur një pakt global mbi ndotjen nga plastika në bisedimet që hapen të martën në Gjenevë, por ata përballen me ndarje të thella se si të trajtojnë rrezikun shëndetësor dhe ekologjik.
10 ditët e ardhshme të bisedimeve me pjesëmarrjen e delegatëve nga gati 180 vende vijnë pas dështimit për të arritur një marrëveshje dhjetorin e kaluar se si të ndalohen miliona ton mbetje plastike që hyjnë në mjedis çdo vit.
Në vitin 2022, vendet ranë dakord se do të gjenin një mënyrë për të adresuar krizën deri në fund të vitit 2024, por bisedimet në Busan të Koresë së Jugut nuk arritën të kapërcenin dallimet themelore.
Një grup vendesh kërkoi një marrëveshje ambicioze globalisht detyruese për të kufizuar prodhimin dhe për të eliminuar gradualisht kimikatet e dëmshme.
Megjithatë, një grup vendesh kryesisht prodhuese të naftës hodhën poshtë kufizimet e prodhimit dhe donin të përqendroheshin në trajtimin e mbeturinave.
Rreziqet janë të larta. Nëse nuk ndërmerret asgjë, konsumi global i plastikës mund të trefishohet deri në vitin 2060, sipas parashikimeve të OECD-së.
Ndërkohë, mbetjet plastike në tokë dhe ujëra pritet të rriten me 50 përqind deri në vitin 2040, sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), i cili vepron si sekretariat për bisedimet.
Rreth 460 milionë ton plastikë prodhohen në nivel global çdo vit, gjysma e së cilës është për një përdorim. Dhe më pak se 10 përqind e mbeturinave plastike riciklohet.
Plastikat zbërthehen në copa aq të vogla sa jo vetëm që gjejnë rrugën e tyre në të gjithë ekosistemin, por edhe në gjakun dhe organet e njeriut, tregojnë studimet e fundit, me pasoja kryesisht të panjohura për shëndetin e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.
Pavarësisht kompleksitetit të përpjekjes për të pajtuar interesat e ndryshme të mjedisit, shëndetit të njeriut dhe industrisë, “është shumë e mundur të largohemi nga Gjeneva me një traktat”, tha Drejtoresha Ekzekutive e UNEP-it, Inger Andersen, për shtypin në prag të bisedimeve.
Teksti i publikuar pas bisedimeve të dështuara në Korenë e Jugut përmbante 300 pika që ende duheshin zgjidhur.
«Keni mbi 300 kllapa në tekst, që do të thotë se keni mbi 300 mosmarrëveshje», tha Bjorn Beeler, drejtor ekzekutiv dhe koordinator ndërkombëtar në IPEN, një rrjet global që synon kufizimin e kimikateve toksike. «Pra, duhen adresuar 300 mosmarrëveshje».
Çështja më përçarëse është nëse duhet të kufizohet prodhimi i plastikës së re, me vendet prodhuese të naftës si Irani dhe Rusia që kundërshtojnë kufizimet.
Një pikë tjetër e diskutueshme: hartimi i një liste kimikatesh që konsiderohen të rrezikshme, të tilla si substancat per- dhe polifluoroalkil (PFAS), një familje kimikatesh sintetike që shpesh quhen kimikate të përjetshme, pasi ato duan një kohë jashtëzakonisht të gjatë për t’u zbërthyer.
Bjorn Beeler, kreu i rrjetit IPEN të grupeve aktiviste që punojnë për eliminimin e ndotësve, tha se askush nuk dëshiron që bisedimet të shkojnë në një raund të tretë dhe se diplomatët duhet të tregojnë përparim.
“Konteksti është i vështirë”, pranoi një burim diplomatik në kushte anonimiteti, duke thënë se ata nuk mund ta injoronin qëndrimin e ndryshuar të SHBA-së ndaj nismave shumëpalëshe nën administratën e Donald Trump.
Ndërkohë, vendet në zhvillim janë shumë të interesuara për bisedime “ose sepse janë prodhues të plastikës me rrezik të një ndikimi të fortë në ekonomitë e tyre, ose sepse vuajnë nga ndotja plastike dhe kërkojnë llogaridhënie”, tha i njëjti burim.
Në Nisë në qershor, në Konferencën e OKB-së për Oqeanet, 96 vende, duke filluar nga shtetet e vogla ishullore deri te Zimbabveja, përfshirë 27 anëtarët e Bashkimit Evropian, Meksikën dhe Senegalin, kërkuan një traktat ambicioz, duke përfshirë një objektiv për të zvogëluar prodhimin dhe konsumin e plastikës.
Ilane Seid, kryetar i Aleancës së Shteteve të Ishujve të Vogla (AOSIS), tha se “traktati duhet të mbulojë të gjithë ciklin jetësor të plastikës dhe kjo përfshin prodhimin. Nuk duhet të jetë një traktat për menaxhimin e mbeturinave.”
«Qeveritë duhet të veprojnë në interes të njerëzve, jo të ndotësve», tha Graham Forbes, kreu i delegacionit të Greenpeace në bisedime, i cili denoncoi praninë e lobistëve të industrisë.
Beeler i IPEN tha se negociatorët duan të shmangin një raund tjetër bisedimesh, por kjo nuk garanton se do të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Kapaku i shpëtimit ka shumë të ngjarë të jetë një skelet që do të quhet traktat, që duhet të ketë financa, guxim dhe shpirt për të qenë realisht diçka efektive”, tha ai.


