Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër pas thirrjeve “vdekje për shqiptarët” dhe “dhoma gazi për shqiptarët”, të bëra nga tifozë maqedonas gjatë një ndeshjeje basketbolli në Maqedoninë e Veriut, në prani të Kryeministrit Mickoski dhe delegacionit qeveritar.
Në një postim në Facebook, Krasniqi i ka cilësuar këto mesazhe si të rënda dhe të papranueshme, duke theksuar se ato dëmtojnë bashkëjetesën në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.
“Shqiptarët janë komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe partnerë vendimtar në rrugën euroatlantike. Gjuha e urrejtjes ndaj tyre nuk është vetëm e rrezikshme, por edhe thellësisht kundër vlerave demokratike e europiane që duhet t’i bashkojnë popujt tanë”, ka shkruar lideri i PDK-së.
Krasniqi ka theksuar se heshtja përballë gjuhës fashiste është një qëndrim në vetvete dhe ka kujtuar se dinjiteti dhe mirëqenia e çdo komuniteti nuk mund të negociohen.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut që të distancohet qartë nga aktet ekstremiste, duke paralajmëruar se heshtja mund të kuptohet si miratim.
“Shqiptarët kanë bërë shumë për këtë shtet, dhe nuk do të lejojnë askënd t’i nëpërkëmbë më”, ka shtuar Krasniqi, duke kritikuar edhe heshtjen e Kryeministrit në ikje të Kosovës, të cilin e cilësoi si “kumbara i kësaj qeverie në Shkup”, që mban përgjegjësi morale dhe politike për klimën anti-shqiptare që po thellohet dita-ditës.


