Kur sporti shndërrohet në tribunë urrejtjeje: Rasti i Kumanovës si kambanë alarmi

featured
Shpërndaje

Ndani këtë postim

ose kopjoni lidhjen

Editorial nga PressOnline.al

Ndeshja e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë më 2 gusht në Kumanovë nuk do të mbahet mend për rezultatin sportiv, por për thirrjet antishqiptare, fyerjet raciste dhe për atmosferën helmuese që pushtoi palestrën. “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur” dhe “Dhoma gazi për shqiptarët” nuk janë vetëm parulla fyese; ato janë një kujtesë tronditëse se sa e brishtë mbetet bashkëjetesa në vend, edhe më shumë se dy dekada pas konfliktit të vitit 2001.

Reagimi i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë ishte i shpejtë dhe i drejtë, duke u distancuar nga nacionalizmi dhe duke dënuar gjuhën e urrejtjes. Por kjo nuk mjafton. E vërteta është se kjo nuk ishte një “shkarje” spontane, por një shfaqje e thellë dhe e organizuar urrejtjeje që ndodh shpesh në arenat sportive, ku shqiptarët përdoren si qendra e fajit dhe objekt i mllefit kolektiv, sidomos kur bëhet fjalë për dështimet ose frustrimet e një pjese të opinionit publik maqedonas.

Më shqetësuese sesa vetë parullat, ishte heshtja e pjesës më të madhe të politikës dhe institucioneve që ishin aty të pranishëm.

Kryeministri, Mickoski, ministra dhe funksionarë shqiptarë të VLEN-it e panë dhe e dëgjuan atë që ndodhi. Por heshtën, ose reaguan vetëm me gjuhë të zbutur, ndërkohë që e gjithë shoqëria kërkonte një qëndrim të prerë dhe të qartë: gjuhës së urrejtjes duhet t’i thuhet “ndal”, pa ekuivoke dhe pa kalkulime politike.

Kjo ngjarje zbuloi edhe një herë boshllëkun mes fjalëve dhe veprave: qeveria dhe VLEN çdo ditë fol për “bashkëjetesë”, por nuk kanë krijuar mekanizma realë për të sanksionuar dhe parandaluar gjuhën e urrejtjes, e cila vazhdon të përdoret në stadiume, rrjete sociale dhe media.
Kodi Penal e ka të qartë: thirrjet që nxisin urrejtje mbi baza etnike janë vepër penale, por rastet e ndëshkimeve janë të rralla, për të mos thënë të papërfillshme.

Pa ndëshkueshmëri, urrejtja shndërrohet në normë. E kur shndërrohet në normë, nga tribunat kalon në rrugë, në media dhe më pas ndikon edhe tek institucionet, duke helmuar raportet ndëretnike. Në këtë pikë, problemi nuk është vetëm i sportit, por i shoqërisë në tërësi dhe i institucioneve që nuk zbatojnë ligjin.

Në këtë atmosferë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të ndihen të stigmatizuar dhe të përjashtuar, jo vetëm nga një grup tifozësh të zjarrtë, por edhe nga mënyra se si hesht ose relativizohet urrejtja ndaj tyre. Ky është një dëm real dhe i rrezikshëm për shoqërinë: ngre mure, e bën më të vështirë bashkëjetesën dhe shkatërron atë që politika zyrtare pretendon se ndërton prej vitesh.

Fatmirësisht, nuk u pa një reagim agresiv nga pala shqiptare, por vetëm thirrje për veprim institucional dhe zbatim të ligjit. Pikërisht kjo është rruga: shteti të tregojë se nuk ka vend për urrejtjen dhe dhunën, që racizmi dhe nxitja e tij do të dënohen, ashtu siç e parashikon ligji.

Sporti është një hapësirë që duhet të bashkojë, jo të ndajë. Nëse Maqedonia e Veriut dëshiron me të vërtetë të jetë një “shtet për të gjithë”, ky rast duhet të shërbejë si një pikë kthese, jo si një episod që harrohet pas disa ditësh.

Koha për të vepruar është tani. Përndryshe, do të vazhdojmë të shohim të njëjtën skenë: urrejtje, heshtje, reagime të vakëta, dhe pastaj… përsëritje.(PressOnline.al)

Kur sporti shndërrohet në tribunë urrejtjeje: Rasti i Kumanovës si kambanë alarmi
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *