Senatorët demokratë në SHBA kërkuan nga administrata e presidentit Donald Trump ndalimin e financimit për “Fondacionin Humanitar të Ndihmës në Gaza” (GHF), një organizatë e ashtuquajtur ndihme me mbështetjen Izrael-SHBA. Senatori Chris Van Hollen, së bashku me 20 kolegë të tij demokratë i dërguan një letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio. Në letër shprehet shqetësim i thellë për mbështetjen financiare të SHBA-së për GHF, e cila është e përfshirë në vrasjen e civilëve që presin për ndihma ushqimore në Gaza.
GHF ka qenë në qendër të polemikave që nga fillimi i saj, vihet në dukje në letrën në të cilën bëhet thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të financimit dhe një kthim në mekanizmat e shpërndarjes së ndihmës të koordinuar nga OKB-ja.Letra vë në dukje se që kur GHF ka filluar operacionet e saj, qindra njerëz në nevojë për ndihmë ushqimore janë vrarë në të ashtuquajturat zona të shpërndarjes së ndihmës, mijëra janë plagosur dhe njerëzit janë detyruar të udhëtojnë distanca të gjata për të siguruara qasje në ndihma.
Më tej në letër rikujtohet se Departamenti i Punëve të Jashtme ka ndarë 30 milionë dollarë fonde për GHF në qershor ndërsa kërkon publikimin e të gjitha dokumenteve përkatëse, përfshirë kërkesën për financim të organizatës dhe individët që e miratuan atë. Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe nën një rrethim të rreptë që kufizon ndihmën humanitare, po përjeton një katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe furnizimesh higjienike. Vdekjet për shkak të urisë, veçanërisht të fëmijëve, janë në rritje në ditët e fundit në Rripin e Gazës.
Që nga 27 maji, 1.021 persona janë vrarë dhe 7.485 janë plagosur si pasojë e sulmeve sistematike që shënjestrojnë palestinezët në vendet e shpërndarjes të ngritura nën emërtimin e ndihmës humanitare nga Fondacioni Humanitar i Ndihmës për Gazën i udhëhequr nga Izraeli dhe SHBA-ja.

