Editorial nga PressOnline.al
Retorika mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë po ashpërsohet çdo ditë e më shumë, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm marrëdhëniet dypalëshe, por edhe kredibilitetin e rrugës evropiane të Shkupit. Ndërkohë që autoritetet maqedonase përsërisin angazhimin e palëkundur për integrimin në Bashkimin Evropian, disa politikanë dhe eurodeputetë bullgarë po e shesin si “fitore” heqjen e termave “komb maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” nga një dokument i miratuar në Parlamentin Evropian, shkruan PressOnline.al
Kryeministri Hristijan Mickoski ka shmangur përshkallëzimin emocional dhe premton se do të vazhdojë më me përkushtim në reformat, por pranon se një padrejtësi i është bërë vendit. Përplasjet nuk munguan as pas kësaj deklarate. Ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev e quajti Mickoskin “kryeministër të Maqedonisë së Veriut”, ndërsa ky i fundit u kundërpërgjigj me një metaforë të fortë, duke e quajtur Georgievin “djalosh” që “ka marrë urdhër të bezdisë luanin”. Reagimi zyrtar bullgar nuk mungoi – kërkesë për falje, nota proteste dhe akuza për mungesë të respektit për fqinjësinë e mirë.
Por kush po fiton realisht në këtë përballje? A është fshirja e referencave etnike në një dokument evropian shenjë triumfi diplomatik apo simptomë e një politike të sëmurë nacionaliste që dëmton të ardhmen evropiane të Ballkanit?
Ekspertja bullgare Marija Simeonova, drejtore e Zyrës së Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme në Sofje, pranon se kemi të bëjmë me një krizë të panevojshme. Sipas saj, nëse do të kishte vullnet të sinqertë për përparim të Maqedonisë së Veriut në integrimet evropiane, kjo situatë nuk do të ndodhte.
“Pas propozimit francez ekziston një konsensus në Bullgari për çështjen e RMV-së. Por fitorja e vërtetë do të ishte atëherë kur marrëdhëniet mes dy shoqërive do të shëroheshin dhe të tilla eskalime nuk do të shkaktonin emocione dhe sulme të papranueshme,” – thotë ajo për mediat bullgare.
Nga ana tjetër, ajo e akuzon Mickoskin se po përdor këtë situatë për të larguar vëmendjen nga ngecja në procesin e integrimit. Derisa Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara, Maqedonia e Veriut është bllokuar për shkak të mospërmbushjes së kushteve – përkatësisht ndryshimeve kushtetuese.
Një tjetër përplasje simbolike ishte përpjekja e eurodeputetëve bullgarë për të futur termin “gjuhë moderne maqedonase” në dokumentin evropian, një mënyrë e rafinuar për të vënë në pikëpyetje origjinën e gjuhës maqedonase. Edhe pse këto amendamente u refuzuan në Komitetin për Punë të Jashtme, polemikat nuk pushuan.
Për më tepër, eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev shfrytëzoi incidentin me kryetaren e Shkupit Danella Arsovska për të ringjallur narrativën se bullgarët në Maqedoninë e Veriut janë të rrezikuar. Duke përmendur shifrën e diskutueshme prej 216 mijë qytetarëve me nënshtetësi bullgare, ai kërkoi që Sofja të ndërhyjë për t’i “mbrojtur”.
Nëse analizojmë me gjakftohtësi, duket qartë se në këtë betejë nuk ka fitues. Nacionalizmat ushqehen me tensione, por në afat të gjatë, ato vetëm sa rrënojnë urat e dialogut, pengojnë progresin dhe dëmtojnë qytetarët e zakonshëm në të dy vendet.
Ajo që mungon sot më shumë se kurrë është një qasje e mençur, e qëndrueshme dhe e përqendruar në të ardhmen evropiane, dhe jo në kalkulime elektorale apo identitare të shekullit të kaluar.(PressOnline.al)