Fantazmat e artit!

Një vështrim përmes shpirtit të fjalës së shkruar, aty ku arti i vërtetë po rrezikon të shuhet mes zhurmës së egos, plagjiaturës dhe etjes për famë, duke harruar rrënjët e ndershme të krijimit

featured
Press Online
12 Korrik 2025, 18:56

Nga Mimoza Mustafai Jonuzi

Në thellësi, disa dashuri nuk janë thjesht ndjenja, por përbindësha të heshtura – patologjike lidhje që njerëzit i krijojnë me një fytyrë apo emër, duke ngritur në mendjet e tyre idhuj të mjegullt. Këto idhuj nuk janë gjë tjetër veçse projeksione të nevojave të shpirtit, pasione të ngulfatura që kërkojnë vëmendje dhe njohje. Në këtë vallëzim të heshtur, frika shndërrohet në motiv, dhe njeriu bëhet skllav i vetes dhe i imazheve që krijon.

Në botën e artit të shkruar, ky realitet na vjen si reflektim i asaj që ndodh në shpirtin njerëzor. Letërsia, që historikisht ka qenë një dritare e thellë në shpirtin e kombit, sot po sheh një erozion të vlerave, një deformim nga ata që s’e njohin thelbin e artit. Ajo që Çajupi dhe Naimi na mësuan, se talenti është dhuratë hyjnore, është harruar në përpjekjet e dëshpëruara për të marrë vëmendjen e përkohshme. Fjala e bukur, përmbledhje e mendimit, ndjeshmërisë dhe shpirtit, nuk fitohet me kalimin e kohës, por me atë shkëndijë të brendshme dhurohet…

Çfarë ndodh kur vetë krijuesit e sotëm, pa thellësi dhe pa respekt për artin, tentojnë të vetëshpallen poetë dhe shkrimtarë?

Është një krizë ekzistenciale e artit dhe e identitetit të krijuesit. Ata janë si hije që enden në errësirën e vetmisë, duke kopjuar fjalë dhe forma, pa pasur vetë-thellësinë dhe sinqeritetin që kërkon arti i vërtetë. Në këtë kaos, ata që e duan me shpirt artin, fillojnë të dyshojnë në vetveten – një reflektim trishtues i krizës së besimit.

Ky është një përplasje mes egos dhe shpirtit, mes dëshirës për famë dhe nevojës për të krijuar me sinqeritet. Publiku, ndonëse bujar në admirim, nuk mund të falë falsitetin e paarsimuar dhe plagjiaturën që vret thelbin e krijimit artistik. Ligjet që mbrojnë këtë krijimtari shpesh janë të dobëta, dhe fatkeqësisht shpesh ato janë thjesht letra pa fuqi reale.

Andaj, duhet të rikthehemi tek thelbi i artit – vlera dhe cilësia që vijnë nga brenda, jo nga jashtë. Duhet të ndërtojmë ura të forta përmes të vërtetës dhe pasionit të pastër krijues, sepse nëse lejojmë që arti të degradojë në një lojë iluzionesh dhe egoje, atëherë fantazmat e të mëdhenjve të letërsisë do të ngrihen dhe do të kërkojnë llogari mbi këtë botë të çmendur që harron shpirtin. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter