Nga Paul MASON
“A mund të quhet ende kapitalizëm ky?”, pyeti deputeti laburist Entoni Kroslend në vitin 1956. Duke vëzhguar sistemin shumë bujar të mirëqenies sociale të Britanisë, gamën e gjerë të industrive të shtetëzuara, zbehjen e individualizmit të shfrenuar dhe zbutjen e luftës së klasave të arritur gjatë qeverive laburiste të pasluftës, ai u përgjigj me një “Jo” të prerë. Nëse kishte ende njëfarë shfrytëzimi, ai ndodhte kryesisht nga shteti, nëpërmjet taksimit. Dhe ndërsa mbeti njëfarë pronësie private në industri, ajo nuk luante më një rol vendimtar në rregullimin e jetës ekonomike.
“Ashtu siç pati një pikë ku ekonomia feudale vdiq”, shkroi Crosland, “duhet të vijë një pikë ku kapitalizmi do të zhduket thuajse pa u vënë re”. Dhe në Britani kjo pikë mbërriti përafërsisht në kohën kur Bill Halej zëvendësoi Sten Kentonin në listat e klasifikimit të muzikës pop.
Sot do të duket një pikëpamje e çuditshme, por brezi im, i lindur në vitet 1960, u rrit me të. Kapitalizmi vdiq, këmbëngulën socialdemokratët e krahut të djathtë si Kroslend, i mrrekulluar nga mirësia e shtetit të mirëqenies sociale. I vetmi revolucion që kishte mbetur për t’u zhvilluar, ishte për vlerat shoqërore liberale. Për pasojë, gjatë dy dekadave të para të jetës sime, të vetmit njerëz që dëgjova të përdornin fjalën “kapitalizëm” ishin komunistët. Kur isha ende fëmijë luajta një rol në një dramë të Nol Kauard, ku një uellsian bolshevik vazhdon të thotë fjalët “lakmi kapitaliste”, duke shkaktuar të qeshura ironike midis minatorëve dhe tjerrësve të pambukut që ishin audienca jonë.
Deri në vitin 1976, përdorimi i fjalës “kapitalist” në një bisedë politike, ishte një tregues po aq i fuqishëm i rebelimit sa edhe vendosja e një pirsingu në hundë. Por pastaj papritmas kapitalizmi u rikthye, dhe askush nuk kërkoi ndjesë.
Nëse do ta kishit përjetuar rënien hakmarrëse që Margaret Theçër i shkaktoi industrisë britanike, ajo që do të shihnit nuk ishte vetëm papunësia masive dhe shkatërrimi i kohezionit social, por edhe rikthimi i idesë se kapitalizmi – në kuptimin e tij të pastër të shekullit XIX – ishte i mirë dhe se e gjithë kjo duhej të ndodhte për ta shpëtuar atë. Dyzet vjet pas grevës së minatorëve britanikë, kujtimet e të cilëve më rikthehen sa herë që nuhas erën e qymyrit, kushdo që sugjeron se kapitalizmi ka marrë fund, do të donte që t’i nënshtrohej një vizite në psikiatri. Megjithatë ka një numër gjithnjë e më të madh njerëzish që mendojnë se ai është i tmerrshëm. Në librin “Kapitalizmi dhe kritikët e tij: Një betejë idesh në botën moderne”, gazetari amerikan Xhon Kesidi rrëfen historinë e sistemit përmes syve të atyre që e kanë përçmuar atë. Ai e fillon me Uilliam Bolts, denoncuesin që demaskoi abuzimet e të drejtave të njeriut dhe super-shfrytëzimin e kryer nga Kompania e Indive Lindore në vitet 1770, dhe ua kalon stafetën luditëve, ouenitëve dhe antikapitalistëve romantikë si Tomas Kerlil, përpara se të kalojë te Marksi dhe Engelsi, Roza Luksemburgu dhe Kejnesi.
Nëse anti-kapitalizmi do të ishte një mur i fortë i mendimit ekonomik dhe filozofik, kjo do të ishte historia e ndërtuesve të tij. Fatkeqësisht, ai është një strukturë e ndërtuar me nxitim, dhe detyra e vetëpranuar e Kesidit është të shpjegojë pse dështojnë gjithmonë kritikët e kapitalizmit.
Marksi ishte aq i emocionuar nga kriza financiare e SHBA-së e vitit 1857, saqë në një letër drejtuar Engelsit e quajti atë “E BUKUR” me shkronja të mëdha. Në përgjigjen e tij, Engelsi e quajti atë “të shkëlqyer”, duke shtuar: “Ne jemi duke pritur rastin”.
Por kapitalizmi mbijetoi sepse bankat qendrore shtypën para,. por edhe sepse sapo kishte filluar rritja e madhe e Revolucionit të Dytë Industrial. “Gjatë 2 shekujve të fundit, variacione të kësaj historie janë shfaqur shumë herë, duke treguar fuqinë e kapitalizmit për t’u rikuperuar dhe aftësinë e qeverive për të vepruar si menaxhere të krizave të tij”- shkruan Kesidi. Më pas gazetari ndalet tek idetë e ekonomistëve të njohur si Kondratief dhe Shumpeter, për të cilët kapitalizmi – pavarësisht të gjitha të metave të tij – është një sistem ciklik, me vetëkorrigjimin në ADN-në e tij.
Ai na prezanton edhe me kritikët nga Jugu Global, për të cilët aftësia e kapitalizmit për të shfrytëzuar botën më pak të zhvilluar, ka qenë thelbësore për mbijetesën e tij. Po ashtu, Kesidi na jep një përshkrim të teoricienëve të hershëm të eko-socializmit, të cilët folën për varfërimin e burimeve shumë kohë para se ta dinim se emetimet e karbonit – dhe jo pjelloria e tokës – do të ishin pengesa përfundimtare për rritjen ekonomike.
Megjithatë, si një përmbledhje kritikash të dështuara, libri është larg të qenit gjithëpërfshirës. Kesidi e bën Anglosferën kornizën qendrore. Për pasojë, Lenini nuk merr shumë vëmendje; dhe as puna e madhe e ekonomistëve sovjetikë, përveç asaj të Kondratief, i cili u ekzekutua në qelinë e tij në vitin 1938 gjatë Spastrimit të Madh të Stalinit. Ekonomistët anti-globalistë si Dani Rodrik dhe Xhozef Stiglic kanë kapitullin e tyre, por jo Majkëll Hardt dhe Antonio Negri librat e të cilëve frymëzuan qindra mijëra njerëz të dilnin në rrugë në lëvizjen anti-globaliste. Nga ana tjetër, ka një kapitull të mirëpritur mbi punën e Silvia Federici, e cila ishte ndër ata që e nisën lëvizjen “Paga për punët e shtëpisë” në vitet 1970, bazuar në një nga kritikat më radikale të Marksit që janë bërë ndonjëherë.
Por në fund të 518 faqeve të librit të tij, Kesidi duket ende i pavendosur në lidhje me pyetjen qendrore: A e shkatërron kapitalizmi veten, apo do të mbijetojë në çdo rast? Dhe nëse përgjigjja është e dyta, dhe ne duam ta ndryshojmë, cilat forca ekzistojnë në shoqëri që mund ta përmbysin atë në mënyrë kuptimplote?
Nëse e braktisim kronologjinë dhe i kategorizojmë strategjitë e atyre që përmend Kesidi, në thelb ekzistojnë 3 prej tyre: revolta, reforma dhe mbijetesa. Ju mund të përpiqeni, siç pretendonte feministja peruane Flora Tristan në vitin 1843, që ta shkatërroni kapitalizmin, duke krijuar një sindikatë të madhe punëtorësh, veprimet kolektive të të cilëve e paralizojnë sistemin. Ose mund të përpiqeni të “jetoni pavarësisht kapitalizmit”, duke formuar komunitete të vogla eksperimentale, siç bënë ndjekësit e Henri Sensimon në Parisin e viteve 1820. Ose mund të përpiqeni – siç bëri brezi i Kroslend – të zhdukni tiparet më kaotike të sistemit duke përdorur shtetin, deri në pikë sa të zhduken “shpirtrat shtazarakë” të sipërmarrësit.
Që kur përqafova për herë të parë anti-kapitalizmin si ideologji gjatë një proteste të punëtorëve të çelikut në Shefilld në vitin 1980, unë vetë kam kaluar nëpër të tria strategjitë. Isha leninist në epokën e Theçërit, mbështeta kampet me tenda dhe protestat rreth gardheve të viteve 1990, dhe pata shpresa të mëdha te qeveria e Aleksis Cipras në Greqi, humbja e të cilit përballë ndaj FMN-së dhe BQE-së shënon këtë vetë 10-vjetorin e saj.
Edhe pse sot jam kritik i ashpër ndaj leninizmit, mendoj se ia vlen të pranohet se situata aktuale globale, duhet të na kujtojë rëndësinë e saj. Për ta thënë troç, bota po shkon drejt shkatërrimit. Stanjacioni ekonomik në veriun global, po e gërryen mbështetjen për demokracinë. Manipulimi i infosferës nga kapitalistë si Elon Musk dhe Peter Thiel po e zvogëlon aftësinë tonë për të menduar dhe vepruar në mënyrë të pavarur; dhe fuqia e palëkundur e kapitalistëve të karburantyeve fosile – e shfaqur gjatë turneut të madh plot servilizëm ndaj Donald Trump në Gjirin Persik javën e kaluar – tregon se është real kërcënimi i interesit vetjak kapitalist që bllokon progresin drejt një industrie me zero ndotje në atmosferë. Për mua, gjëja më e rëndësishme që ka ndryshuar që nga vitet 1980, nuk është fakti që proletariati u atomizua dhe e humbi koherencën; apo fakti që politika e identitetit e ka zëvendësuar klasën si një forcë organizuese.
Por që planeti po digjet dhe që rendi global i bazuar në rregulla – të cilin si brezi i Kroslend ashtu edhe i imi e besonin se ishte i përhershëm – po shpërbëhet para syve tanë. Të gjitha këto dukuri, nuk janë rezultat i aktorëve të këqij individualë, apo i “tronditjeve të jashtme”.
Ato janë në një kohë të caktuar produkt i kapitalizmit, i një kuadri teknologjik dhe i realitetit ekologjik. Goditjet që i dhanë fund “Epokës së Goldilocks” u prodhuan, në fund të fundit, në “zorrët” e sistemit kapitalist. Rënia e Lehman Brothers në vitin 2008, kriza e euros, shpërthimi i papritur i Covid-19 nga kryeqyteti i industrisë së dobët të Kinës dhe sulmi etno-nacionalist i Vladimir Putinit ndaj Ukrainës: këto janë ngjarje që një Lenin i ringjallur do t’i konsideronte historikisht karmike, duke pasur parasysh orgjinë e vetë-pasurimit dhe lakmisë që i parapriu atyre. Edhe pse në botën e zhvilluar, leninizmi është në thelb një grup ringjallësish të veshur me xhaketa lëkure, mund ta keni vënë re se ata ende mund të nxjerrin gjysmë milionë njerëz në rrugët e Londrës për çështje si Gaza.
Ndërkohë, në Kinë, leninizmi është doktrina shtetërore e një klase të pamëshirshme kapitalistësh shtetërorë miliarderë, të cilët do të jenë shumë të lumtur të mbledhin copat e thyera të rendit liberal demokratik nëse ne në Perëndim e lëmë që të shembet.
Që nga viti 2015, kam argumentuar se e majta ka nevojë për një “reformizëm revolucionar”: një politikë, që e pranon se kapitalizmi është një sistem i paqëndrueshëm, i dhunshëm dhe i kufizuar në kohë, por që e përdor shtetin, demokracinë dhe vetë-aktivitetin e njerëzve të zakonshëm për të promovuar një alternativë koherente.
Në dallim nga çdo brez i mëparshëm, në cepin e ekraneve tona ne kemi një kohëmatës që ecën mbrapsht. Në pragun e vrasjes së saj në vitin 1919, Roza Luksenburgu shkroi se proletariati marshon drejt fitores përmes një sërë disfatash. Pra supozonte se ai ka luksin e kohës. Ne, në të kundërt, kemi maksimumi 2 dekada për të parandaluar katastrofën klimatike, një detyrë që vetëm sa do të ndërlikohet akoma më shumë nga zhytja e botës në rivalitetin e Fuqive të Mëdha. Pra, sado që e admiroj studimin e Kesidit mbi mendimtarët e mëdhenj antikapitalistë të së kaluarës, nuk mendoj se kemi kohë të zgjedhim dhe të përziejmë mendime. Asnjë lëvizje proteste gjatë 20 viteve të fundit nuk e ka arritur qëllimin e saj. Asnjë kamp me tenda, dhe as “veprim i drejtpërdrejtë” nuk e ka ndryshuar botën. Ajo që na duhet është një demokraci sociale radikale.
S’ka kohë për të shfuqizuar kapitalizmin përpara se të mbërrijë kaosi klimatik. Ne duhet ta zbutim atë kaos dhe në fud ta ndalim, duke e rikrijuar kapitalizmin në një formë rrënjësisht të re, po aq të ndryshme nga kapitalizmi i sotëm sa ishte ai i Kroslendit me atë të epokës eduardiane. Dhe meqë nuk ka kohë dhe anija po fundoset, jam shumë i lumtur që jam ulur në të njëjtën varkë shpëtimi së cilës iu përkushtua Kroslend: Partia Laburiste – e cila, pavarësisht gjithë sulmeve që po i bëhen aktualisht udhëheqësit të saj nga media, është i vetmi institucion në Britani që ka qëllimin dhe aftësinë për të arritur synimin e zero emetimeve ndotëse në atmosferë, për të luftuar pabarazinë e për të stabilizuar gjeopolitikën. (The New World)



