Pas deklaratës së fundit të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, në lidhje me procesin e regjistrimit të popullsisë, ka reaguar ashpër VLEN, duke e quajtur deklaratën e Ahmetit një “pranim publik të një marrëveshjeje të fshehtë” që ka cenuar rëndë të drejtat e diasporës shqiptare.
“Të thuash se ‘regjistrimi ishte në kuadër të marrëveshjeve’ është jo vetëm pranim publik i përgjegjësisë, por edhe dëshmi tronditëse e pazareve që janë bërë mbi kurrizin e diasporës shqiptare. Kjo deklaratë nuk është sqarim, por skandal”, thuhet në reagimin e VLEN, përcjell PressOnline.al
VLEN kërkon përgjigje të drejtpërdrejta nga lideri i BDI-së:
“Ali Ahmeti duhet të përgjigjet qartë: Cila ishte ajo marrëveshje? Me kë e ke bërë? Në emër të kujt? A ishte kjo marrëveshje për të fshirë mërgatën shqiptare nga regjistrat zyrtarë?”
Sipas tyre, nëse ekziston një marrëveshje e tillë, ajo duhet të publikohet dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi përballë qytetarëve dhe diasporës.
“Mërgata nuk është numër për t’u fshirë, por zemra që mban gjallë ekonominë dhe shpresën e këtij vendi”, theksohet më tej në reagimin e VLEN.
VLEN premton se do të vazhdojë të ngrejë zërin për të drejtat e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit:
“Ne e çmojmë çdo sakrificë të tyre dhe jemi të përkushtuar që asnjë mashtrim politik të mos i mohojë më kontributin.”







