Evropa e vërtetë fillon në Shkup, jo në Bruksel!

featured

Evropa e vërtetë nuk është projekt politik, por projekt i jetës së përditshme. Dhe ajo fillon këtu, me ne me guximin për të ndryshuar, me refuzimin për të heshtur dhe me forcën për të kthyer dinjitetin në çdo lagje, në çdo komunë, te çdo qytetar. E kjo mund të ndodhë vetëm kur qytetarët i demaskojnë dhe i refuzojnë ata politikanë që kanë ndërtuar karrierën mbi krimin dhe kompromisin ne dëme të qytetarëve

Nga Astrit GASHI

Në këtë udhëkryq historik për Maqedoninë e Veriut, integrimi evropian nuk është më thjesht një proces teknik apo një objektiv diplomatik. Por është bërë një çështje morale dhe qytetëruese, një provë e ndërgjegjes sonë kolektive dhe e pjekurisë sonë si shoqëri. Sepse Evropa nuk është vetëm një adresë gjeografike apo një seli burokratike por është një mënyrë jetese, një kulturë e përgjegjësisë, një vetëdije që duhet të marrë formë këtu, në Shkup, në rrugët dhe institucionet tona, në vetë thelbin e përditshmërisë sonë.

Nëse me të vërtetë e duam Evropën, atëherë duhet ta jetojmë atë jo si një mirazh të largët, por si një standard përditshmërie. Dhe ky standard nuk nis nga Brukseli, por nga ndërgjegjja qytetare. Është koha që shoqëria të zgjohet nga letargjia, të marrë përgjegjësinë për të ndarë të drejtën nga padrejtësia, të dënojë krimin dhe të mos normalizojë më atë që e ka përçudnuar jetën publike në heshtjen, frikën dhe aleancat me nëntokën. Sepse heshtja nuk është neutralitet është bashkëpunim me të keqen.

Dhe mbi të gjitha, në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojmë që, në emër të “së ardhmes evropiane”, kriminelët të arratisen nga përgjegjësia. Përkundrazi, ata duhet të japin llogari politike dhe penale për kapjen e shtetit. Duhet të hapen me guxim dhe transparencë të gjitha dosjet e rasteve të montuara politike gjatë dekadës së kaluar. Nuk ka Evropë pa drejtësi, dhe nuk ka drejtësi kur harresa selektive bëhet politikë zyrtare. Drejtësia nuk ndërtohet mbi kompromis, por mbi zbardhje të së vërtetës dhe ndëshkim të fajit.

As opozita nuk mund të sillet më si engjëlli shpëtimtar. Populli nuk është naiv ai i njeh të gjithë pa dallim ata që janë në pushtet sot dhe ata që ishin dje. Dhe shpesh, populli i dërgon në “pushim” jo nga zemërimi, por si një mundësi që të pastrojnë vetveten nga arroganca, nga harresa dhe nga lidhjet me një të kaluar që nuk ka vend në një të ardhme evropiane. Rruga drejt Evropës nuk kalon përmes fjalëve të mëdha dhe të zbrazëta në foltore, as përmes dokumenteve që hartohen vetëm për sy të botës. Ajo fillon me guximin për t’u ndarë nga e kaluara që ka mbajtur peng shtetin. Fillon me qytetarin që nuk udhëhiqet më nga frika apo interesi i ngushtë, por nga ndershmëria, nga dinjiteti dhe nga vetëdija për të qenë pjesë e një Evrope të vërtetë jo të simuluar.

Asnjë lider, parti apo program nuk ka të drejtë të pretendojë legjitimitet moral pa pasur guximin të bëjë autokritikë. Vetëm përmes pranimit të fajit ndërtohet besimi. Vetëm përmes ndarjes nga ajo që ka dështuar, lind një politikë e re. Jo më si rikthim i të vjetrës me grimin e radhës, por si një lindje e vërtetë politike që ka në qendër qytetarin dhe jo kastën.

Evropa fillon me qytetarin që refuzon të votojë për krimin, që nuk pranon më drejtësi të ndërtuar mbi marrëveshje të fshehta, por kërkon institucione të pavarura dhe përgjegjësi publike. Evropa nis kur shqiptarët dhe maqedonasit e kuptojnë se ndarja më e thellë nuk është etnike, por etike mes atyre që duan shtet dhe atyre që kërkojnë plaçkë pa dallim etnie.

Vetëm atëherë do të kemi të drejtën të themi se Shkupi është Evropë jo si kopje, por si origjinalitet. Sepse Evropa e vërtetë nuk është projekt politik, por projekt i jetës së përditshme. Dhe ajo fillon këtu, me ne me guximin për të ndryshuar, me refuzimin për të heshtur dhe me forcën për të kthyer dinjitetin në çdo lagje, në çdo komunë, te çdo qytetar. E kjo mund të ndodhë vetëm kur qytetarët i demaskojnë dhe i refuzojnë ata politikanë që kanë ndërtuar karrierën mbi krimin dhe kompromisin ne dëme të qytetarëve.

Në fund, le ta kemi të qartë këtë së nuk ka politikë të përjetshme. Një politikan që nuk arrin të lërë gjurmë në katër vite, nuk meriton as katër ditë më shumë në pushtet. Sepse dekadat në pushtet nuk të çojnë në histori, por të çojnë në diktaturë. Demokracia është ritëm, rotacion dhe llogaridhënie.

Dhe këtë rrugë këtë mision qytetar dhe qytetërues duhet ta ndjekim të gjithë, duke ndërtuar një aleancë me vlerat dhe me qytetarin, për t’i kthyer Shkupit vendin që i takon si kryeqytet evropian, si vendlindje e Nënës Terezë, që mishëroi mëshirën, dhe i Lekës së Madh, që mishëroi vizionin. Dy figura që, ndonëse të ndryshme, shpalosin të njëjtën aspiratë. universalizmin e vlerave njerëzore. Dhe vetëm kur këto vlera të kenë rrënjë te qytetari ynë, do të mund të themi me të drejtë së Evropa, fillon dhe ka filluar këtu, në Shkup.

Evropa e vërtetë fillon në Shkup, jo në Bruksel!
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *