Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me miratimin e raportit të raportuesit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Thomas Weitz, në Komitetin për Politikë të Jashtme të PE-së, duke e cilësuar atë si dokumentin më të rëndësishëm në rrugën integruese të vendit.
Sipas nënkryetarit të BDI-së dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ky raport përfaqëson të gjithë përmbajtjen e kornizës negociuese që ka Maqedonia e Veriut me Bashkimin Evropian.
“Miratimi i raportit të Thomas Weitz pasqyron kornizën negociuese tashmë të vendosur, të mbështetur nga Bullgaria, ku gjuha maqedonase dhe identiteti etnik maqedonas janë të përfshirë në mënyrë të qartë. Me marrëveshjen e FRONTEX-it është institucionalizuar edhe përdorimi i shkurtesës MKD”, thekson Osmani.
Ai shton se përmbajtja e raportit përfshin edhe thirrjen për vazhdimin e rrugës drejt integrimit evropian përmes përmbushjes së obligimeve, përfshirë ndryshimet kushtetuese që do të garantojnë përfshirjen e pakicave, si një nga kushtet kyçe të mëtejshme.
Raporti pritet të votohet në sesionin e ardhshëm plenar të Parlamentit Evropian, duke shënuar një hap tjetër drejt avancimit të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.







