ASH pyet publikisht Izet Mexhitin: Sa shqiptarë janë punësuar nga 12 mijë vende sa deklaroi Mickoski?

featured
Press Online
25 Qershor 2025, 13:59

Aleanca për Shqiptarët ka ngritur pyetje publike ndaj liderit të VLEN, Izet Mexhiti, lidhur me numrin real të shqiptarëve të punësuar në administratën publike, pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski për 12 mijë vende pune të reja brenda një viti.

Në të njëjtën ditë kur qeveria njëetnike e drejtuar nga VMRO-DPMNE miratoi Propozim-Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, institucionet shtetërore vazhduan të thellojnë diskriminimin ndaj shqiptarëve. Përmes Agjencisë për Administratë dhe Fondit Pensional, janë shpallur konkurse për 23 vende pune në rajonin lindor të vendit – zonë ku nuk jetojnë shqiptarë. Kjo, sipas Aleancës për Shqiptarët, është shembulli më i qartë i “përfaqësimit të drejtë” sipas ligjit të Karakamishevës: 23 punësime për maqedonas dhe zero për shqiptarë.

Gjithashtu, në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari janë avancuar tetë zyrtarë maqedonas dhe vetëm një shqiptar përmes një konkursi të brendshëm, duke vërtetuar qartë se “merita” aplikohet në mënyrë selektive.

Kryeministri Mickoski në një intervistë në TVM1 deklaroi se numri i të punësuarve ka rritur nga 690 mijë në 702 mijë, por Aleanca për Shqiptarët kërkon transparencë: “Nga këto 12 mijë punësime, sa janë shqiptarë? Apo Izet Mexhiti duhet të kërkojë leje nga kryetari i tij për këtë informacion?”.

Sipas dinamikës aktuale të punësimeve, numri i shqiptarëve të përfshirë është nën katërshifror, duke treguar qartë se ligji aktual nuk po funksionon, madje as simbolikisht.

Aleanca për Shqiptarët thekson se me këtë ritëm, shqiptarët po përjashtohen sistematikisht nga administrata shtetërore dhe kërkon miratimin urgjent të një ligji gjithëpërfshirës dhe funksional, të përgatitur me pjesëmarrjen reale të përfaqësuesve shqiptarë dhe ekspertëve.

“Ky nuk është përfaqësim, është dorëzim. Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë përballë kësaj padrejtësie,” përfundon kumtesa.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter