Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, është transferuar sot në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, Murseli pritet t’i nënshtrohet një ekzaminimi psikiatrik.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka sqaruar se gjykata ka lëshuar urdhëresë më 9 qershor për ekzaminimin psikiatrik të Murselit, bazuar në kërkesën e parashtruar më herët nga avokatja mbrojtëse e të akuzuarit.
“Referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 04 Qershor 2025 ka aprovuar kërkesën e mbrojtëses të të akuzuarit N.M. për lëshimin e Urdhrit për Ekzaminimin Psikiatrik për të njëjtin. Me datë 09.06.2025 trupi gjykues në këtë çështje penale ka lëshuar Urdhëresë përmes së cilës është urdhëruar Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë të bëjë Ekzaminimin Psikiatrik për të akuzuarin N.M”, ka njoftuar Gashi.
Ndërkaq, për mediat drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri, ka thënë se Murseli është shtruar në Klinikën e Psikiatrisë qe një javë. Sipas tij, Murseli do të qëndrojë në institut deri sa të bëhet ekzaminimi i plotë i tij.
Seanca e radhës gjyqësore, është caktuar për datën 2 korrik.
Liridona Ademaj, 30 vjeçe, u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpi me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre. Ajo u qëllua për vdekje me armë zjarri. Përveç Naim Murselit, për këtë krim janë të akuzuar edhe Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.


