Një rrëfim personal dhe politik ka ardhur sot nga anëtari i Aleancës për Shqiptarët, Albion Iseini, i cili ka ndarë publikisht një bisedë të zhvilluar dy muaj më parë me ish-bashkëpartiakun Arben Fetai, përcjell Flaka. Sipas tij, Fetai kishte shprehur shqetësime për atmosferën brenda koalicionit VLEN, duke e cilësuar atë si “toksike”, ku nuk kishte përparim dhe, sipas rrëfimit, “as nuk mund të punësohej dikush”.
“VMRO po na shkel,” citohet të ketë thënë Fetai në atë bisedë, sipas Iseinit, i cili shpreh habinë e tij për faktin që personi në të cilin kishte besim të plotë, ka marrë një drejtim të kundërt politik. “Prej kujt tradhëtohesh?! Nga ai që i beson më shumë!”, shkruan ai me ton emocional.
Iseini i drejton një sërë pyetjesh publike Fetait, duke vënë në pikëpyetje qëndrimin e tij të tanishëm në qeverinë e re dhe duke e konsideruar largimin si një “eufori të rrejshme” që, sipas tij, i shërben interesave të Izet Mexhitit, Bilall Kasamit dhe VMRO-së.
Në fund të reagimit të tij, Albion Iseini kritikon edhe profesor Azirin, i cili më herët ishte propozuar ministër me mbështetjen e plotë të degës në Gostivar vetëm pas insistimit të Arben Fetait. “A je tu e kuptu besimin që kishte kryetari tek ju, o prof?”, pyet Iseini, duke përmendur se besimi i dhënë ishte në emër të unitetit dhe bindjes politike të përbashkët.
Përfundimi i mesazhit përmbyllet me një thirrje reflektimi dhe një paralajmërim të heshtur politik: “Jeta nuk është vetëm politikë. Gjithsesi, shihemi në Tetor!”
Në mungesë të një reagimi nga Arben Fetai apo anëtarët tjerë të përmendur, mbetet për t’u parë nëse këto qëndrime do të replikohen.