Real Madrid ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në udhëtim në La Liga, duke triumfuar me rezultat minimal 1:0 ndaj Getafe dhe duke e mbajtur gjallë garën për titullin kampion.
Me këtë fitore, “Los Blancos” kanë ngushtuar diferencën me Barcelonën në vetëm katër pikë, në një garë që po hyn në fazën vendimtare.
Ndeshja e zhvilluar në “Coliseum Alfonso Pérez” ka pasur ritëm dhe intensitet që nga minutat e para. Getafe nuk ka pasur asnjë kompleks ndaj madrilenëve dhe ka krijuar shanset e para të rrezikshme me Luis Milla, që e ka detyruar Thibaut Courtois të ndërhyjë. Pak më vonë, Borja Mayoral ka goditur jashtë me kokë, ndërsa në anën tjetër Fran García është ndalur nga David Soria pas një kundërsulmi të shpejtë.
Goli i vetëm i ndeshjes ka ardhur në minutën e 25-të nga talenti turk Arda Guler, i cili ka shënuar me një goditje të fortë nga distanca, pas një gabimi në prapavijën e vendasve.
Real ka pasur mundësinë ta thellonte rezultatin në fundin e pjesës së parë me brazilianin Endrick, por mbrojtësi Djene e ka shmangur golin duke e larguar topin nga vija fatale.
Getafe ka reaguar në pjesën e dytë me futjen në lojë të lojtarëve të rinj. Alvaro Rodríguez, i huazuar pikërisht nga Real Madridi, ka rrezikuar me një goditje me kokë pas krosimit të Coba da Costas, por topi ka përfunduar mbi portë.
Nga ana tjetër, Brahim Diaz e ka detyruar Sorian të bëjë një pritje vendimtare, ndërsa Vinicius Junior ka qenë mjaft aktiv në krahun e majtë, por pa arritur ta finalizojë përpjekjet e tij.
Në minutat e fundit, Getafe ka pasur një tjetër mundësi të artë për të barazuar me Mauro Arambarrin, por goditja e tij pas asistit të Mayorall ka qenë e pasaktë.
Në fund, Real Madrid ka marrë një fitore të vlefshme, edhe pse pa shumë shkëlqim, për të qëndruar në hap me Barcelonën në krye të renditjes.
Pas javës së 33-të, Barcelona mban vendin e parë me 76 pikë, ndërsa Real Madridi ndjek me 72 pikë. Nga ana tjetër, Getafe gjendet në vendin e 12-të me 39 pikë.



